Deputetët e Parlamentit britanik votuan të shtyjnë marrjen e një vendimi për marrëveshjen e Kryeministrit Johnson me BE, duke e detyruar të kërkojë një tjetër shtyrje të Brexit.
Me 322 vota pro dhe 306 kundër, deputetët vendosën që të miratojnë një amendament, i cili shtyn votimin e marrëveshjes së arritur nga Qeveria, deri sa kjo e fundit të miratojë një tjetër ligj që shmang daljen nga unioni pa marrëveshje, diçka që Kryeministri ka kërcënuar që do të bëjë nëse nuk miratohet ujdia e fundit e arritur.
Pas votimit, Johnson u shpreh se mund ta injorojë detyrimin ligjor për të kërkuar shtyrje të Brexit. “Mundësia për të votuar diçka me kuptim sot u anashkalua”, tha ai para deputetëve. “Por gjëja më e mirë për Mbretërinë e Bashkuar dhe gjithë Europën që është ne të largohemi nga unioni me këtë marrëveshje më 31 tetor. Nuk do të negocioj për një tjetër shtyrje dhe as ligji nuk më detyron dot. Shtyrja e mëtejshme do të ishte diçka e keqe për këtë vend”.
I vendosur për të risjellë javën e ardhshme marrëveshjen për t’u votuar pa ndryshime, Johnson u kritikua lideri i opozitës. “Nuk kemi ndërmend të shantazhohemi nga Kryeministri”, tha Jeremy Corbyn. “E ftoj të mendohet mirë për ato që sapo tha”. “Nëse mendoni se jeni mbi ligjin, atëherë do ta gjeni veten në Gjykatë”, i tha kryeministrit, deputeti skocez, Ian Blackford.