Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar sot një takim me tre deputetët shqiptarë të koalicionit “Alternativa Demokratike Shqiptare- Lugina e Bashkuar”. Takimi erdhi me ftesë të vetë presidentit serb, që duket se synon t’i bëjë shqiptarët pjesë të qeverisë së re. Deputetët shqiptarë kanë vendosur katër kushte, duke kërkuar dhe një post ministror.
“Shqiptarët nuk duhet të jenë pjesëmarrës në formimin e qeverisë duke parë politikën diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarëve 20 vite të fundit, duke mos qenë të integruar në institucionet shtetërore, duke na pasivizuar adresat e Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, duke mos i dhënë rëndësi zhvillimit ekonomik, duke na neglizhuar në të gjitha format që na kanë sjell shpërnguljen e Shqiptarëve nga Lugina e Preshevës në mënyrë masive”, tha pas takimit Argjend Bajrami, deputet shqiptar në Serbi.
Ai ka shtuar se, duke shprehur te një “Serbi e re”, që Vuçiç e proklamon një Serbi me perspektivë Europiane, koalicioni i shqiptarëve ka propozuar këto kushte për të qenë pjesë e qeverisë: 1. Ministri i Ministrisë së pushtetit lokal; 2. Ndihmës Ministrin e Ekonomisë; 3. Sekretarin shtetëror në Ministrinë e Arsimit; 4. Kryetarin e Trupit Koordinues
Shaip Kamberi, duke folur pas takimit thotë se, në cilësinë e deputetëve të listës shqiptare kanë biseduar mbi nevojat e domosdoshme të popullsisë shqiptarë, të cilat me dekada po injorohen. “Çfarëdo vendimi jonë rreth qëndrimit ndaj qeverisë së re do të varet nga qëndrimi dhe programi që kjo qeveri do të ketë ndaj shqiptarëve dhe kërkesave tona legjitime”, shprehet Kamberi.
Negociatat për formimin e qeverisë së re kanë nisur pikërisht sot me takimin që Vuçiç pati me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, të kryesuar nga Shaip Kamberi. Në ditët e ardhshme presidenti serb do të zhvillojë takim me parti të tjera që kanë siguruar mandate në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Në zgjedhjet e mbajtura më 21 qershor, koalicioni i Aleksandër Vuçiç arriti të sigurojë 188 vende nga 250 që ka Asambleja Kombëtare e Serbisë. Koalicion i dytë me më shumë vota doli grupimi i drejtuar nga Ivica Daçiç duke marrë 32 mandate, ndërsa opozita kryesore i bojkotoi zgjedhjet.