Kryesore “Deputetët u detyruan të bëjnë Tarzanin”, Berisha: Dëshmia më flagrante e narkoshtetit

“Deputetët u detyruan të bëjnë Tarzanin”, Berisha: Dëshmia më flagrante e narkoshtetit

Sali Berisha akuzoi socialistët se i mbyllën derën e Kuvendit deputetëve opozitarë në kundërshtim me Kushtetutën.

“Sot parlamenti Rama-Linda urdhëroi në kundërshtim me Kushtetutën, mbylljen e dyerve të këtij institucioni, mbyllje që mund të ketë ndodhur në kohërat më të zeza të diktaturës, dhe kurrë ndonjëherë tjetër, për deputetët e opozitës që të hyjnë në zyrën e grupit të tyre parlamentar. Ky akt antikushtetues, antiligjor , tregon të dashur qytetarë dhe qytetare situatën kritikë që ndodhet në vend. Tregon frikën e tmerrshme, lepurin e madh që i ka hyrë në bark Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale”, tha Berisha për mediat.

“Me ligj dhe Kushtetutë, deputeti ka të drejtë të hyjë në çdo institucion. Deputeti nuk mund të pengohet kurrë të hyjë në zyrën e tij. Kjo ndodhi sot me Edi Ramën, i cili, edhe njëherë në grahmat, në përpëlitjet e tij, nuk njeh më asnjë lloj ligji dhe Kushtetute dhe përpiqet të mbahet zvarrë në pushtetin e tij të krimit. Sot, për herë të parë në historinë e planetit, grup deputetësh të PD u detyruan të bëjnë Tarzanin për të hyrë në zyrën e tyre në parlament, të ngjiten mbi mure. Kjo skenë është një skenë unike në mediat e botës, kjo skenë po qarkullon sot në katër anët e planetit si dëshmia më flagrante e narkoshtetit, e regjimit të Edi Ramës, të bazuar në drogën, krimin, vjedhjen dhe vasalët e tij. Akt më të turpshëm, akt më të rëndë nuk mund të ketë”.

Sipas Berishës, vendimi për mbylljen e derës së kryesisë së Kuvendit u mor nga Edi Rama. “Kjo ndodh për shkak të përroit psikik të një njeriu, i cili i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me krimin, të një njeriu me procese penale në SHBA dhe ndonjë vend tjetër, përpiqet tani të mposhtë opozitën në këtë mënyrë. Ju garantoj se sot opozita është më e fortë se kurrë”, tha ai.