Politika Kaosi në Kryesi, Meta: Militarizim i Kuvendit, kriza nuk zgjidhet me Gardën...

Kaosi në Kryesi, Meta: Militarizim i Kuvendit, kriza nuk zgjidhet me Gardën e Republikës

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dënuar atë që e cilëson si “militarizim” të Kuvendit të Shqipërisë.

Reagimi i Metës vjen pas trazirave të krijuara paraditen e së hënës në ambientet jashtë Kryesisë së Kuvendit, ku punonjës të Gardës nuk lejuan deputetë të “Rithemelimit” që të futeshin në godinë.

“Dënoj me ashpërsi militarizimin e institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Kuvendit të Shqipërisë. Asgjësimi i të drejtave kushtetuese të opozitës është sulm ndaj pluralizmit politik dhe llogaridhënies para qytetarëve.

Partia e Lirisë mbështet vendosmërisht qëndrimin e opozitës e në veçanti:

Garantimin e ngritjes të komisioneve hetimore në Kuvend;

Të drejtën e opozitës për të zgjedhur përfaqësuesit e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore;

Garantimin e shqyrtimit të të gjitha projektligjeve që opozita ka depozituar në Kuvend dhe që bllokohen prej vitesh.

Deputetët e opozitës përfaqësojnë zërin e mbi 700 mijë qytetarëve të cilët kanë të drejtë të dëgjohen.

Kjo krizë e rëndë nuk zgjidhet me Gardën e Republikës por me respektimin e Kushtetutës dhe Rregullores të Kuvendit, si baza e funksionimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, tha Meta.