Deputetëve të rinj të cilët u bënë pjesë e Parlamentit pas djegies së mandateve nga opozita, nuk u del rroga që marrin si ligjvënës.
Një pjesë e tyre janë shpallur të pastrehë, në mënyrë që të përfitojnë interes më të ulët.
Në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, deputeti Myslim Murrizi, tha se deputetët e rinj po jetojnë në kushte të vështira. Ai kërkoi që të ndihmohen nga Kuvendi në mënyrë që të përfitojnë kredi.
Sipas Murrizit buxhetit të shtetit nuk i kushton gjë për të ndihmuar 15-20 deputetë që të blenë shtëpi të reja.
“Zoti Kryetar, dua të flas jashtë rendit të ditës, nuk e di nëse është në tagrin e Konferencës së Kryetarëve, a të bëjmë ndonjë vendim, a të biem dakord të gjithë parimisht, për 15 apo 20 deputetët e rinj, të cilët kanë nevojë të mbështeten. Më duket se deri në vitin 2009 ka qenë ligji që deputetët dhe funksionarët e lartë publik përfitonin një kredi me interes të ulët.
A ekziston mundësia që të bëhet një vendim Kuvendi apo qeverie, nëse keni ndrojtje nga populizmi thoni që e ka propozuar Myslim Murrizi, që këta deputetë të marrin kredi? Ata nuk janë aksionerë as në PPP-të dhe as në tendera, por e kanë të nevojshme të mbështeten me një kredi, siç kam marrë unë, por edhe ju në vitin 1997, 1992 dhe në vitet e tjera me radhë.
Nuk besoj se është hipokrizi për të ndihmuar 15 apo 20 deputetë, prandaj duhet ta bëjmë një vendim. Pra, bëhet fjalë për 1 miliard lekë të vjetër, që janë më pak se 1 milion euro”, tha Murrizi.
Por ai nuk u kujdes për fjalorin e përdorur, duke thënë se deputetët e rinj po kthehen si “arixhinjtë me çadra”. Duke injoruar tërësisht këtë kategori të popullsisë që mbase mund të ketë më shumë nevojë për ndihmë sesa deputetët.
“T’ia heqim Unazës 100 metra dhe t’ua japim këtyre deputetëve që të kenë edhe ata një farë dinjiteti, sepse po bëhen si arixhinjtë me çadra.
Unë besoj se gjithsecili deputet që është futur tani ka një farë rëndësie për mbarëvajtjen e këtij vendi, edhe për ekzistencën në këmbë të këtij parlamenti, ishalla po na hapen negociatat. Pra, nuk na kushton asgjë t’i mbështesim për të blerë një shtëpi”, tha Murrizi.
Propozimi i Murrizit kaloi në heshtje nga anëtarët e mazhorancës.