Deputeti gjerman i CDU, Olav Gutting ka reaguar lidhur me progres raportin e Komsionit Europian që rekomandon hapjen e negociatave të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gutting deklaron se Gjermani e ka mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE.
“Së pari, Shqipëria është mik dhe partneri ynë, dhe nuk duhet të harrojmë se shqiptarët janë njerëzit më pro BE në rajon, bazuar kjo në të gjitha anketat e Bashkimit Europian. Ne gjithashtu kemi mbështetur Shqipërinë në perspektiven e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Me ndihmën e KfË, por jo vetëm, ne kemi investuar shumë në Shqipëri, e cila ka bërë progres nga periudha e diktaturës deri tek anëtarësimi në NATO dhe tani vend kandidat për në BE.
Së dyti ne duhet të jemi të kujdesshëm në dërgimin e mesazheve nga Gjermani në Shqipëri. Mosmarrëveshjet e brendshme janë shqetësuese, por ne duhet të jemi të kujdesshëm në përcjelljen e mesazheve ndaj Shqipërisë, si për shembull në lidhje me datën e zgjedhjeve”.
Ndërsa për opozitën thotë se largimi nga parlamenti dhe mungesa e dialogut me qeverinë, nuk do çojë në zgjidhjen e krizës.
“Ne mund të themi vetëm se largimi nga parlamenti dhe hedhja e molotovëve, nuk janë një opsion. Kjo madje është e gabuar, dhe nuk përputhet me vlerat tona. Mosmarrëveshje politike duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe debateve parlamentare, jo përmes përplasjeve në rrugë”.
Gutting nuk nguron të përshëndesë Shqipërinë për progresin që ka bërë, por duke thënë se ka ende rrugë që duhet bërë për të zgjidhur problemet, të cilat ai i cilëson serioze.
“Së treti, ne duhet të përshëndesim progresin e Shqipërisë, të bazuar në raportin e Komisionit Europian, dhe të angazhohemi me përgjegjësi në rekomandimin e Komisionit për të hapur bisedimet me Shqipërinë. Atje ka një progres të prekshëm. Unë pajtohem me idenë se ne duhet të shohim në proces sipas pikëpamjes tonë dhe ta analizojmë atë më pas. Por kjo duhet të ndodhë me dialog. Unë dua të përgëzoj të gjithë njerëzit dhe autoritetet shqiptare për përpjekjet dhe arritjet. Ata kanë ende një rrugë të gjatë për të ecur dhe probleme serioze për t’u zgjidhur. Në këtë fazë Shqipëria meriton respektin tonë dhe mbështetje të plotë, është shprehur ai.
Ditën e djeshme, (30 Maj) zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU / CSU, Johann David Wadephu deklaroi se Gjermania nuk do të shprehet në Qershor për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Shkaku sipas tij, është mospërmbushja e kushteve të vëna nga BE në vitin 2018.