Jurgis Çyrbja po shërben në mandatin e dytë të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë për Partinë Socialiste në Qarkun e Durrësit.
I lindur në Shijak, i diplomuar për drejtësi e specializuar në jurispundencë, me shumë vite përvojë si lektor universiteti në shkenca juridike, Jurgis Çyrbja është një personalitet i njohur në qarkun e Durrësit, duke i shërbyer komunitetit me përkushtim e pasion. Deputeti Çyrbja njihet gjerësisht nga të gjithë dhe ka fituar zemrat e njerëzve të thjeshtë të Shijakut, Manzës, Ishmit, Dracit, Shkafanes, etj, e deri në zonat e thella të Shetaj, Kepi i Rodonit, etj.
Përpos angazhimeve legjislative të jetës parlamentare, Jurgis Çyrbja takohet me njerëzit e thjeshtë jo vetëm gjatë javës por edhe në fundjavë. Edhe të shtunë e të diel, çdo javë, ai shihet duke u takuar me njerëz të thjeshtë, duke dëgjuar shqetësimet e tyre, e duke marrë ide mbi zhvillimin e zonës apo rritjen e standardit të jetesës së komunitetit.
“Me banorët e Ishmit jemi një familje e madhe! Kthehem çdo javë si edhe fundjava me kënaqësi të takoj njerëzit e thjeshtë, të cilët tashmë janë miqtë e mi, me të cilët diskutojmë dhe bisedojmë gjërësisht herë pas here. Çdo problematikë është dëgjuar me përkushtimin e padiskutueshëm për të gjetur zgjidhje ose përmirësim,” shprehet Çyrbja.
“Zona e Ishmit, e të gjitha zonat e tjera në periferi të Durrësit meritojnë të gjithë vëmendjen e nevojshme ditë pas dite! Ndaj edhe unë jam gjithmonë prezent, pasi këto zona janë thesare të vërteta të Durrësit e të mbarë vendit. Dikur të harruara, falë qeverisjes socialiste nën drejtimin e Kryeministrit Rama, sot këto zona janë një potencial turistik, ku kanë lulëzuar bizneset familjare. Nëpërmjet rregullimit të infrastrukturës rrugore dhe rrjetit energjitik, gjithashtu dhe furnizimit me ujë të pijshëm, këto zona kanë nisur të marrin vëmëndjen që meritojnë.”
Biznesi familjar i banorëve dhe sektori i peshkimit në këto zona janë të rëndësishme për deputetin, pasi ato kanë rëndësi të madhe për zhvillimin e komunitetit, ndaj ai takohet në mënyrë të përjavshme me grupet e bizneseve të vogla dhe është angazhuar për ngritjen e një moli të ri peshkimi, duke rritur kështu ekonominë e banorëve dhe duke nxitur turizmin.
Deputeti Çyrbja është i pasionuar pas njerëzve dhe historisë së Ishmit dhe zonave përreth, pasi përveç Kalasë së Rodonit, e ngritur në shekullin e XV-të, këtu ka lindur, si edhe prehet, Ibrahim Kodra, personaliteti më i shquar ndërkombëtarisht në pikturë e art, mik me Pablo Picasso e kubistë e artistë të tjerë me famë botërore. “Do t’i japim Ishmit vendin që meriton në histori e art, duke lartësuar veprat e figurave që bënë historinë,” shprehet Çyrbja teksa qëndron në krahë të artistit bashkëkohor, Agron Hoti, i cili ka hedhur idenë e realizimit të një ekspozite me veprat e piktorit të mirënjohur Ibrahim Kodra, pranë vendit ku prehet në paqen e përjetshme.
Në politikën shqiptare të tre dekadave të fundit jemi mësuar që më së shumtën e rasteve, të zgjedhurit e popullit akomodohen në Tiranë e kujtohen për votuesit dhe njerëzit e thjeshtë vetëm në kohë zgjedhjesh, ndaj një shembull i tillë i deputetit Jurgis Çyrbja është i jashtëzakonshëm, teksa çdo ditë të javës, e madje edhe në fundjavë, e sheh herë ulur në tavolinë me disa të moshuar, herë në këmbë përkrah një kryefamiljari që drejton një biznes të vogël familjar, herë në mes të një takimi me grup peshkatarësh, me studentë e maturantë, me artistë, pensionistë, çdo ditë pranë njerëzve të cilët ai gjithmonë i quan miq, edhe ata e konsiderojnë një mik të çmuar.