Deputeti i Partisë Demokratike në qarkun e Korçës, Hekuran Hoxhalli nuk e ka mirëpritur lënien jashtë listës së kandidatëve për anëtar të Kryesisë së PD. Ndryshe nga pjesa tjetër e grupit parlamentar që gjeti vetën si pjesë e garës që do të zhvillohet paraditen e nesërme për kryesinë e re të PD, Hoxhalli dhe disa kolegë të tjerë nuk janë kandiduar nga Basha. Përmes një teksti të koduar, deputeti i PD në Korcë flet për hierarki vlerash dhe për llogaritë në politikë.
Reagimi i deputetit Hekuran Hoxholli:
Sot më takonte t’i bëja një urim Këshillit Kombëtar të PD-së, i cili nesër zgjedh kryesinë dhe ekzekutivin e Partisë, ndaj nisa të bëj këtë status. Por mendja më vajti si padashje tek politika dhe kuptimi i saj për njerezit.
Politika është arti i të pamundurës. Ky është një nga përkufizimet më konçize për politikën. Siç e kuptoj unë, kjo do të thotë se politika ka aftësinë të gjejë zgjidhje edhe atje ku gjendja është e pashpresë, të frymëzojë në kulm të dëshpërimit, të ngrejë në këmbë nga buza e varrit.
Këtë bën politika, kur njihet dhe perceptohet si arti i të pamundurës. Por kur politika, në vend të zgjidhjes, prodhon qorrsokak, në vend të frymëzimit, mbjell dëshpërim dhe në vend të ngritjes peshë, veç gjunjëzon, atëherë ajo nuk është më art, por është thjesht e pamundur.
Njerëzit gjithmonë vlerësohen nga veprat e tyre, jo nga ëndrrat, as nga ambicjet. Më të zotët, më të mirët, më të fortët dhe më të mençurit janë ata që ëndërrat i bëjnë realitet, që ambicjet i kthjejnë në vepra.
Ata që ëndërrat dhe ambicjet i konvertojnë vetëm në fjalë dhe fjalët pastaj ia falin erës, ata nuk prodhojnë dot vepra, por veç iluzione. Të dish të vlerësosh është një gjë shumë e mirë. Por është akoma më mirë të dish të bësh llogari. Më e mira është të dish të matësh.
Në politikë, kjo është një dhunti që shumë pak veta e kanë. Ata që e kanë janë bekim për pasuesit, mbështetësit dhe simpatizantët. Këto mendime më ngjalli kjo pragmbledhje e Keshillit Kombëtar të PD-së dhe mendova t’i ndaj me të tjerë. Ndoshta ka dhe të tjerë që i shohin gjërat, siç i shoh unë.
Suksese Keshillit kombetar te PD!