Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, i bëri thirrje Presidentit Aleksandar Vuçiç, që të mos merret me të kaluarën, por të përqendrohet te gjetja e një zgjidhjeje për të mirën e vetë Serbisë, duke arritur një marrëveshje përfundimtare me Kosovën.
“E gjithë kriza po personifikohet me figurën e Albin Kurtit. Albin Kurti nuk është as mostër e as terrorist. Ai është Kryeministër i zgjedhur në mënyrë legjitime i Qeverisë së Kosovës. Si të tillë do duhej ta pranonit dhe me të të arrinit marrëveshje”, tha Kamberi në fjalën e tij në Kuvend të premten.
“Më vjen keq, z. President që dje disa herë keni shprehur keqardhjen që Albin Kurti nuk është ende nëpër burgjet serbe. A nuk do duhej rasti i tij dhe rasti i dhjetëra mijëra të rinjve shqiptarë të arrestuar atëkohë të ju shërbejë si dëshmi më e mirë për politikën e gabuar e represive të Serbisë në Kosovë? Keni arrestuar një të ri, keni fituar një Kryeministër me të cilin duhet patjetër të bisedoni e të arrini marrëveshje”.
Kamberi paralajmëroi Vuçiçin dhe deputetët e tjerë serbë se e kaluara nuk kthehet më dhe se Kosova tashmë është shtet i pavarur. “Receta për një katastrofë të sigurt është iluzioni që NATO dhe Amerika, një ditë do të shkatërrohen prandaj edhe duhet të pritet dita e cila do të ishte në favor të Serbisë. Idhnarët e “konfliktit të ngrirë” dhe teorive iluzionare, si edhe ata të tjerët që po paralajmërojnë “Shëtitjen e re triumfuese në Kosovë” jetojnë në ëndrra”, tha ai.