Juventus është gjithnjë e më tepër e bindur se mund t’i rrëmbejë Interit Romelu Lukakun. Pas takimit mes agjentit të belgut, Federico Pastorello dhe drejtorit sportiv të bardhezinjve, Fabio Paratici, duket se një skenar i ri ka dalë në skenë.
Italianët mendojnë të fusin në marrëveshje argjentinasin Paulo Dybala, i cili duket se nuk ka vend në skemat e trajnerit Maurizio Sarri. Juventus synon pra një shkëmbim kokë më kokë mes Lukakut e “La Joya” dhe nëse diçka e tillë do të ndodhë, për bardhezinjtë do të ishte një marrëveshje shumë e mirë sa i përket bilancit të tyre, duke parë se Dybala u afrua nga Palermo për 40 milionë euro, ndërkohë që belgu vlerësohet rreth 90 milionë euro nga Manchester United.
Sipas mediave italiane, një marrëveshje e tillë pritet të kënaqë edhe drejtuesit e “Djajve të Kuq”, duke parë dëshirën e Lukakut për t’u larguar, ndërkohë që pritet edhe vendimi i dy futbollistëve, nga njëra anë i Dybalës, i cili nuk dihet ende nëse do të pranonte një transferim në “Old Trafford” apo jo, por nga ana tjetër edhe ai i sulmuesit belg, që duket se ka një marrëveshje personale me Interin.
Nëse Lukaku transferohet te Juventus, pikërisht për zikaltërit do të ishte një “goditje” ende pa nisur sezoni, me bardhezinjtë që do të fitonin duelin e parë, atë në merkato. Për të mos lejuar që diçka e tillë të ndodhë, drejtuesit e Interit janë gati të bëjnë një tjetër ofertë në drejtim të Manchester United, duke ofruar tashmë 70 milionë euro plus bonuset për të arritur te belgu.
Temperaturat janë rritur ndjeshëm prej disa javësh, por Inter dhe Juventus mendojnë t’i rrisin edhe më tepër në një duel mes dy rivalësh historikë, jo vetëm në fushë, por tashmë edhe në merkato, për të siguruar shërbimet e Romelu Lukakut.