Derbi i Los Angelesit në Major League Soccer pritet gjithnjë me shumë interes dhe ai i kësaj të diele nuk bënte përjashtim. Kjo edhe për faktin se në këtë përballje mes Galaxy dhe Los Angeles FC pritej edhe një duel i fortë mes 2 shënuesve më të mirë të të dyja skuadrave Zlatan Ibrahimovic dhe Carlos Vela.
Sfida padyshim i realizoi pritshmëritë pasi në fushën e lojës u pa spektakël, por jo fitues duke qenë se ajo u mbyll me barazimin 3-3 dhe si Ibra ashtu edhe Vela u bënë protagonistë.
Sulmuesi suedez nuk zhgënjeu dhe shënoi 2 gola në këtë ndeshje por që nuk i mjaftuan Los Angeles Galaxy. Ishte pikërisht 37 vjecari ai që hapi serinë e golave të kësaj sfide teksa i dha avantazhin LA Galaxy, por skuadra kundërshtare barazoi 1-1 me Blessing.
Ibrahimovic nuk e pranoi aspak këtë barazim dhe shënoi një tjetër gol duke i dhënë një tjetër avantazh Galaxy 2-1, ndërkohë që Pavon e çoi rezultatin në 3-1 për këtë skuadër. Por Los Angeles FC nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit dhe Blessing shkurtoi rezultatin në 3-2, ndërkohë që në skenë hyri edhe Carlos Vela që iu përgjigj Ibrahimovic teksa shënoi golin e barazimit në 3-3 në këtë ndeshje derbi me të dyja skuadrat që dolën nga fusha e lojës me nga 1 pikë të fituar secila.