Dervis Arapi, djali i Vjollca Arapit dhe të ndjerit Agim Arapi është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës si i dyshuar që mund të ketë dijeni për vrasjen e 26-vjeçarit Jurgen Kurti mbrëmjen e 18 Marsit në Tiranë.
Policia e kryeqytetit e ka thirrur në komisariat 32-vjeçarin Arapi për ta marrë në pyetje si person që mund të ketë dijeni. Por i riu nuk është paraqitur në Policinë e Tiranës. Në të tilla rrethana, Dervis Arapi është shpallur në kërkim policor dhe ka nisur verifikimi i vendndodhjes së tij. Sipas sistemit TIMS, Dervis Arapi nuk rezulton të ketë hyrë në Shqipëri që prej muajit janar 2019, pasi jeton në Itali.
Edhe e ëma e tij, Vjollca Arapi deklaroi se djali i saj nuk ndodhet në Shqipëri që pas vdekjes të të atit.
Vjollca Arapi, në një intervistë ekskluzive për TV Ora, i kërkoi ndihmë shtetit për gjetjen e autorit të vrasjes së Jurgen Kurtit.
Vjollca Arapi: Nuk jemi ne aq të fuqishëm sa të vrasim Jurgen Kurtin.
Nuk ka lidhje me djalin tim. Më dhimbset që iku ashtu, por Zoti e pa vetë dhe bëri drejtësinë. Drejtësinë ia vuri Zoti se për shtetin nuk duhet të kishte vdekur por të ishte në qeli që kur vrau babain e tij. Mos më akuzoni djalin, ai po punon për të më mbajtur mua. Jam e vetme mes katër rrugëve.”
Ajo tha se herën e fundit që ka komunikuar me djalin ishte, kur Devisi erdhi të bënte një prokurë për vdekjen e babait të tij Agim Arapi.
Vjollca Arapi: “Ai erdhi të bëjë një prokurë se ma kërkoi avokati për vdekjen e bashkëshortit tim. Erdhi të premten dhe iku të dielën se nuk e do këtë vend. Jo absolutisht nuk ka qenë në Shqipëri gjatë këtyre ditëve.”
Vjollca Arapi frikësohet se vrasjen e Jurgen Kurtit duan t’ia lënë djalit të saj.
Vjollca Arapi: “Nëna e Jurgen Kurtit po përjeton atë që përjetova unë para dy vitesh. Mua më vranë burrin por vrasja e fëmijës është e rëndë. I bëj thirrje të kërkojë vrasësin e djalit të saj. Nuk kemi ne vrasësit e djalit të saj. Ne nuk kemi lidhje fare, as unë as familja ime, as të afërmit e mi.
Mos e ka vrarë ndonjë ‘kokë’ dhe duan t’ia lënë djalit tim. Po na merrni në qafë. Nëse na vrau Jurgen Kurti njëherë ju po na vrisni dy herë. Ai është në Itali, punon atje. Ai fal 5 vaktet dhe as pistoletë mund të mos ketë parë kurrë në jetën e vet.”
Ajo theksoi se Devis nuk ka asnjë arsye pse të dorëzohet.
Vjollca Arapi: “Pse duhet të dorëzohet kur nuk ka bërë gjë. Ata le të gjejnë vrasësin. I prishin punën, Italia nuk beson për këto gjëra. Boll na shkatërruat. Nuk kemi ne vrasësit. Nuk kemi lekë ne të paguajmë vrasës me pagesë. Nuk jemi e asaj lloj kategorie. Djali im nuk ka bërë asgjë.”