Didier Deschamps mbetet stoik dhe nuk ka ndërmend ta kthejë sulmuesin Karim Benzema në kombëtaren franceze.
Trajneri i kampionëve të botës i është kthyer kësaj teme dhe ka shpjeguar arsyet që e kanë çuar te vendimi i prerë dhe i pakthyeshëm.
Në një intervistë për Europe 1, Deschamps ka sulmuar ashpër sulmuesin e Real Madridit, ndërsa është mbrojtur nga akuzat e Benzemasë për racizëm ndaj tij, lëshuar para Euro 2016. “Deschamps është dorëzuar përballë presionit nga një pjesë raciste e Francës”, tha atëherë sulmuesi.
Për Deschamps deklaratat e sulmuesit “ishin shumë lënduese” për të dhe ishte sinjali i një krisje të madhe, aq sa tashmë trajneri dhe lojtari janë “në një pikë pa kthim”.
“Disa njerëz mund t’i lejojnë vetes diskutime që krijojnë pasoja të rënda, që kalojnë matanë mirëkuptimit dhe që nuk do t’i harroj kurrë. Në atë moment mendova se vija u kalua. Unë përzgjedh lojtarë francezë, të gjithë janë francezë dhe nuk më pa shkuar kurrë ndërmend të lë jashtë dikë për shkak të ngjyrës apo besimit fetar. Edhe e kundërta është shumë e rëndë, nuk do e grumbulloja dikë vetëm për ato kritere“, tha Deschamps.
Problemet mes trajnerit dhe Benzemasë kanë nisur kur sulmuesi u përfshi në një skandal videosh pornografike me të cilat i bëhej shantazh sulmuesit Valbuena, në vitin 2015.
Benzema ishte në dijeni dhe ishin miqtë e tij ata që bënin shantazh, ndaj Valbuena denoncoi gjithçka në policinë franceze dhe Deschamps që atëherë i ka hequr vizë Benzemasë, duke mos u shqetësuar shumë për akuzat e ndryshme, deri te racizmi, edhe nga personazhe të njohur si Cantona, Ben Arfa apo Samir Nasri.