Mes të shkuarës për trafik narkotikësh dhe të qenieve njerëzore të Edmond Crrojt dhe skedimit në fushën e narkotikeve të dy vëllezërve Çela, Policia po përpiqet të zbardhë atentatin me 1 të vrarë e 4 të plagosur në Don Bosko. Referuar dëshmive që hetuesit kanë marrë, autorët kanë qëlluar me breshëri për disa sekonda duke kapur edhe persona të tjerë në lokal.
Tv Klan ka siguruar dëshmitë e Urim Crrojt, vëllait të të plagosurit Edmod Crroj, i cili dyshohet të jetë edhe shënjestra e atentatit e po ashtu edhe të të plagosurve Arben Dani e Azbi Selimaj.
Në deklarimet e tij në dosjen hetimore, Urim Crroj ka treguar se ai dhe i vëllai i plagosur kanë qenë në burg për trafik narkotikësh dhe qeniesh njerëzore, në Francë dhe Itali.
“Rreth orës 14:30 fola me vëllain tim dhe më tha se ishte në një lokal. Sqaroj se unë dhe Edmondi kemi bërë burg në Itali për lëndë narkotike dhe trafik qeniesh njerëzore në Francë. Në lidhje me viktimën Erionin, di që ka biznes tabakino, po ashtu viktima dhe vëllai i tij Blerimi janë marrë me lëndë narkotikësh në Itali”.
I afërm i Crrojt, Arben Dani ka treguar se pas të shtënave është ulur poshtë tavolinës dhe për shkak se breshëria vijoi, është fshehur në tualet.
“Shoqërova bashkëshorten në punë, pas pak jam ulur në lokal me kushëririn tim Edmond Crroj. Në një tavolinë tjetër ishin vëllezërit Çela, u bashkuam dhe pak më pas kemi dëgjuar krisma. Unë u futa poshtë tavolinës dhe më pas ika në tualet pasi të shtënat vazhdonin. Aty kuptova që isha plagosur”.
Në lokal ishte dhe 19-vjeçari Azbi Selimaj, bashkë me dy miq të tij, klientë të rastësishëm. Por dëshmia e tij ka pak të dhëna të vlefshme për ngjarjen.
“Unë isha në lokal bashkë me dy miq të mitë. Në momentin që nisën të shtënat u shtriva në tokë. Kur mbaruan, dola nga dritarja e thyer. Aty ndjeva që isha plagosur”.
Atentati ndodhi të martën pak pas orës 16, teksa viktima Erion Çela, vëllai tij Blerim Çela, Edmond Crroj dhe Arben Dani ishin të ulur së bashku në një barë kafe. Ata u qëlluan nga një makinë në ecje, që pas atentatit është larguar në drejtim të Spitalit të Traumës për në zonën e Laprakës./ Tv Klan