Bota Dështon mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa në Gaza shënohet...

Dështon mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa në Gaza shënohet dita më e përgjakur

Avionët ushtarakë izraelitë kryen një raund të ri bombardimesh në Qytetin e Gazës në orët e para të së hënës.

Në një deklaratë të shkurtër, ministri izraelit i Mbrojtjes tha se aviacioni goditi objektiva terroriste në Rripin e Gazës.

Më herët, kryeministri Benjamin Netanyahu paralajmëroi se nuk do të kishte një ulje të sulmeve nga ajri.

“Beteja jonë kundër organizatës terroriste vazhdon me të gjithë forcën. Hamasi do të paguajë shtrenjtë për agresionin e tij të papranueshëm. Forcat tona kryen sulme mbi 1.500 objektiva gjatë ditëve të fundit”, u shpreh Netanyahu,

Tensionet mbetën të larta mbrëmjen e së dielës në lagjen lindore të Jerusalemit, Sheikh Jarrah, ku planifikohet dëbimi i familjeve palestineze, gjë që ka shkaktuar dhe valën e dhunës që ka përfshirë qytetet izraelite, Gazën dhe Bregun Perëndimor.

E diela regjistroi gjithashtu 24 orët më fatale në konflikt, me sulmet ajrore në Gaza që shkaktuan rënien e të paktën tre ndërtesave dhe dhjetëra vdekjeve.

Hamas kishte qëlluar një seri raketash drejt jugut të Izraelit, duke detyruar banorët të strehoheshin dhe të dilnin pas dëmeve.

Përpjekjet ndërkombëtare për të ndërmjetësuar paqen vijojnë, teksa Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara u mblodh në një seancë emergjente.

Ministri i Jashtëm palestinez i kërkoi Këshillit që të veprojë.

“Sa civilë palestinezë duhet të vriten për ta dënuar Izraelin? Ne e dimë që kjo ndodh për çdo izraelit. Por tani bëhet fjalë për palestinezët, 200 janë vrarë,” – tha Riad al Malki, ministër i Jashtëm i Palestinës.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Izraelit paralajmëroi Këshillin e Sigurimit të OKB kundër hezitimit për të dënuar Hamasin, pasi siç tha, kjo do të minonte seriozisht mundësitë për dialog dhe paqe.

Edhe pse apeloi për paqe, Këshilli nuk ishte në gjendje të dilte me një deklaratë të përbashkët.

Shtetet e Bashkuara, aleate të Izraelit, ngurrojnë me argumentin se do të ishte e panevojshme në një proces diplomatik.