Bota “Të gatshëm për çdo hap”, Turqia paralajmëron veprim ushtarak ndaj Izraelit

“Të gatshëm për çdo hap”, Turqia paralajmëron veprim ushtarak ndaj Izraelit

Turqia ka paralajmëruar se është e gatshme të ndërmarrë edhe veprime ushtarake në ndihmë të palestinezëve që aktualisht janë përfshirë në një konflikt me izraelitët.

Gjatë një fjale në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu ka deklaruar ndër të tjera se: “Është koha që të tregojmë unitetin dhe vendosmërinë tonë. Umeti pret lidership prej nesh. Turqia është e gatshme të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm”.

Sipas tij, përgjegjës për përshkallëzimin e tensioneve në Gaza është Izraeli që ushtron edhe në këtë rast një shfaqje të “spastrimit sistematik etnik, fetar dhe kulturor”.

Cavusoglu ka deklaruar se zgjidhja e dy shteteve është fizikisht e pamundur për shkak të shtimit të ngulimeve të paligjshme hebreje dhe shkatërrimin e zonave rezidenciale palestineze.

Cavusoglu ka përcjellë një mesazh të qartë edhe për vendet perëndimore që mbështesin Izraelin në këtë përballje të fundit.

“Historia do t’i gjykojë këto vende”, ka deklaruar ai.

Komentet bëhen ndërkohë që presidenti turk, Erdogan ka komunikuar me homologun iranian Rouhani, çka njofton se kjo mësymje e Izraelit në plan ushtarak është ndoshta e fundit që mund të kalojë pa përgjigje konkrete nga bota islame.