E përditshmja franceze “L’ Equipe” raporton se braziliani Neymar ka pranuar më në fund që të qëndrojë edhe një vit në Francë, me fanellën e Paris Saint Germain, skuadër të cilës iu bashkua verën e 2017-ës.
Ylli brazilian nuk ishte i lumtur në kryeqytetin francez dhe kishte dalë hapur duke kërkuar largimin, me destinacion sërish Barcelonën, por spanjollët dhe PSG-ja nuk arritën të gjejnë gjuhën e përbashkët këtë verë, që transferimi të konkretizohej.
Merkatoja mbyllet nesër në mbrëmje dhe vetë Neymar e ka kuptuar se do të jetë i pamundur largimi, ndaj ka hequr dorë këtë verë, për të provuar rikthimin në “Camp Nou” me Barcelonën një vit më vonë.
Barcelona ofroi 110 milionë euro dhe kartonët e Ivan Rakitiç e Ousmane Dembele për brazilianin, por drejtuesit e PSG-së kërkuan që të ofertë të shtohej edhe mbrojtësi i talentuar francez Todibo, që që u refuzua prerë nga katalanët.
Ndërkohë nga dështimi i këtij operacioni mund të përfitojë Interi, që kërkon të marrë në huazim me të drejtë blerjeje mesfushorin kilen Arturo Vidal. Deri tani Barcelona ishte treguar e mbyllur ndaj ofertave për të, pasi kishte planifikuar shitjen e Rakitic, por me qëndrimin e kroatit, hapet dera e largimit të Vidal.
Mesfushori kilen është një emër i preferuar i Antonio Contes, pasi të dy kanë punuar me mjaft sukses te Juventusi, por momentalisht Interi mund ta marrë vetëm në huazim, pasi nuk mund të shpenzojë për kartonin e tij.