Mes 28 personave të arrestuar nga policia orët e fundit janë edhe botuesi i njohur Henri Çili si edhe biznesmeni Seit Fishta.
Ndaj Çilit rëndojnë katër akuza sipas kreut të Policisë së Shtetit, të cilat lidhen me pastrimin e parave, falsifikimin e dokumenteve dhe ndikimin e paligjshëm ndaj organeve të drejtësisë.
Në dosjen hetimore të siguruara nga Abc News, prokuroria ka konstatuar dy raste ku sipas saj Henri Çili ka tentuar të ndikojë në vendimet e Sistemit të Drejtësisë.
Ndikimi do të bëhej përmes një zyrtari të lartë në Sistemin e Drejtësisë, i cili takohet me botuesin Henri Çili në 14 janar të këtij viti në një hotel në qendër të Tiranës. Prokuroria ka përgjuar bisedën dhe ka dalë në përfundimin se zyrtari i lartë i Sistemit të Drejtësisë, të cilit nuk i gjendet emri në dosje, ka siguruar sipas Çilit zgjidhjen e të dyja rasteve në Gjykatën e Lartë.
Bëhet fjalë për rekursin në Gjykatën e Lartë të vëllezërve Alban dhe Arbion Aliko si edhe Feti Yzeirajn. Alikot janë dënuar me respektivisht burgim të përjetshëm dhe 18 vite burg për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha, kurse Yzeiraj gjithashtu është dënuar me burgim të përjetshëm për një krim makabër disa vite më parë në Mallakastër.
Si Alikot ashtu edhe Yzeiraj kanë kërkuar rekurs për çështjen e tyre në Gjykatën e Lartë (shiko dokumentin) dhe kanë tentuar të ndërhyjnë në vendimin e gjykatës. Për të bërë këtë kanë kontaktuar me kunatin e Henri Çilit, Gazmir (Enri) Ajdinaj i njohur në dosjen e prokurorisë së Gazmir Ajdinaj.
Ky i fundit i ka siguruar fillimisht Çilit një takim me babain e Alikove, ndërsa ka komunikuar vetë me të afërmit të Yzeirajt duke i premtuar të ndikojë tek Gjykata e Lartë përmes Henri Çilit në favor të të dënuarve.
Prokuroria ka përgjuar gjithçka nga raportet mes palëve të përfshira, një pjesë e madhe e të cilëve është arrestuar.
Por, ajo që të bën përshtypje është fakti se në dosjen hetimore nuk përmendet se kush është zyrtari i lartë i Sistemit të Drejtësisë përmes të cilit Henri Çili thuhet se do të ndikonte tek Gjykata e Lartë. Prokuroria nuk jep asnjë emër në dosje edhe pse thotë se ka përgjuar bisedën dhe këtij “zyrtari të lartë të Sistemit të Drejtësisë”.
Ky i fundit mbetet ende mister dhe nuk ka një emër apo pozicion, të cilin ai e mban.
Gjithashtu, një fakt tjetër që vlen të theksohet është se ky “zyrtar i lartë i Sistemit të Drejtësisë” siguron botuesin Henri Çili se do t’i kalojë tek 50 të parat në radhën e shqyrtimit çështjet për të cilat ai interesohet.
Duhet theksuar se në Gjykatën e Lartë ndodhen rreth 33 000 dosje.
Kjo tregon se kemi të bëjmë me një person të fuqishëm në këtë institucion apo që ka ndikim në këtë institucion sa të kthejë përmbys dosjet dhe të nxjerrë në krye Alikot dhe Yzeirajn.
Krahas tentativës për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në Sistemin e Drejtësisë, thelbi i gjithë kësaj historie lidhet pikërisht me faktin se në lojë është edhe një “zyrtar i lartë i Sistemit të Drejtësisë” që merr përsipër të lirojë apo lehtësojë të dënuar me burgim të përjetshëm kundrejt ryshfetit dhe për më tepër..nuk është arrestuar./Abc News