Një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri këtë të premte në qytetin e Fierit, në afërsi të një qendre tregtare.
Dëshmitarë okularë tha për Tv Klan se i plagosuri ishte me vajzën e tij të vogël (rreth 7-8 vjeç), kur një person, i identifikuar si Altin Nika, qëlloi me armë zjarri në drejtim të Dashamir Muçës.
Gjithnjë sipas të njëjtave burimeve, autori qëlloi të paktën 3 herë në drejtim të personit në fjalë dhe një prej plumbave e preku në pjesën e barkut.
Autori mësohet se udhëtonte me një makinë tip Toyota. Aktualisht e gjithë zona është rrethuar nga forcat e policisë dhe po punojnë për kapjen e tij.
Ndërkohë, i plagosuri ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Zyrtarisht, policia tha se shkak për ngjarjen dyshohet se është bërë një konflikt i çastit.
“Plagosi me armë zjarri një shtetas, pas një konflikti të çastit, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika të shumta kontrolli, në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim kapjen e tij. Rreth orës 13:15, në lagjen “11 janari”, dyshohet se pas një konflikti të çastit, Altin Nika 52 vjeç, ka plagosur me armë zjarri, Dashamir Muça 50 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Vijon puna intensive për kapjen e Altin Nikës. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje”, tha policia e Fierit në njoftimin e saj për mediat.