Aktualitet Detaje nga vrasja në Londër e “bosit” shqiptar, jeta mes luksit dhe...

Detaje nga vrasja në Londër e “bosit” shqiptar, jeta mes luksit dhe muzikës

Një krim i rëndë ka ndodhur në Londër ditën e Krishtlindjeve, dhe ka patur si viktimë një shqiptar, të vrarë në sytë e fëmijës dhe gruas në shtëpinë e tyre luksoze.

Viktima është Flamur Beqiri, një producent muzikor i rritur në Suedi, por i lindur në Ferizaj të Kosovës.

Sipas informacioneve të policisë britanike, shqiptari u qëllua në hyrjen e shtëpisë, ndërkohë që ekzekutimi u krye nga profesionistë që nuk kanë lënë shenja të dukshme.

E kaluara e errët

E kaluara e viktimës 36-vjeçare është po aq e errët sa arsyet e vrasjes së tij.

Në 2008, ai u shpall si njëri nga personat më të kërkuar në Suedi si anëtar i një grupi të organizuar kriminal që trafikonte lëndë narkotike në vendin skandinav, akuzë për të cilën ai nuk u dënua kurrë.

Flamur Beqiri dhe bashkëshhortja

Por tre vite më parë, Beqiri emigron në Angli, duke u marrë kryesisht me menaxhimin e një studioje muzikore, ndoshta në tentativën për t’u “pastruar” pas martesës dhe lindjes së fëmijës.

Pikërisht pamjet e dasmës së tij tregojnë edhe luksin në të cilin jetonte Beqiri. Një ceremoni mbretërore në një nga hotelet më të kushtueshme në botë, në liqenin e Komos në Itali.

Ndërkohë, në Suedi, miku i tij i ngushtë Najef Adawi u plagos rëndë në Malmo, ndërkohë që bashkëshortja e Adawit ndërroi jetë nga plagët. Edhe Najef akuzohej për vepra të ndryshme kriminale në Danimarkë, dhe kishte kaluar 8 vite ne burg.

Motra e tij Misse Beqiri kur ishte e martuar me futbollistin Anders Lindegaard

Motra e viktimës, Misse Beqiri, është personazh disi i njohur në Suedi dhe Britani si modele dhe pasi martoi në 2014 ish-portierin e Manchester United Anders Lindegaard, duke marrë pjesë edhe në disa reality show.

Hetimet e policisë

Policia britanike vazhdon të apelojë për të marrë informacione pas vrasjes së 36-vjeçarit.

“Hetimi ynë është në fazat e hershme dhe ne jemi ende duke punuar për të përcaktuar se cili mund të jetë motivi që ka çuar në vrasjen e tij në mënyrë të tmerrshme, në prag të Krishtlindjes, para familjes së tij. Ata janë shkatërruar nga kjo ngjarje e tmerrshme dhe janë mbështetur nga oficerë të specializuar. Ne e dimë se viktima po kthehej në shtëpi me gruan dhe fëmijën e tij të vogël, kur u qëllua në oborrin e shtëpisë. Autori iku në këmbë në drejtim të Urës Battersea”, tha një zëdhënës i Scotland Yard.

Policia i kërkoi kujtdo që arriti të shihte autorin që u largua nga vendi i ngjarjes të kontaktojë policinë. Njerëzit që jetojnë pranë vendit të ngjarjes thanë se dëgjuan të shtëna të shoqëruara nga ulërimat e një gruaje që bërtiste “në mënyrë të dëshpëruar” për ndihmë.

“Dëgjova krisma armësh. 8 deri në 10 të shtëna të njëpasnjëshme. Pastaj dëgjova ulërimat e gruas. Unë dola dhe kuptova se ishte një nga fqinjët e mi. Ai ishte shtrirë para derës së tij në një pishinë gjaku. Ai ishte akoma gjallë. Ne me të vërtetë po shpresonim që ai do ta mbijetonte. Ju nuk e keni idenë se sa e dëshpëruar dukej (gruaja e tij)”, tha një fqinjë 60-vjeçare. Një grua e re që e identifikoi veten si infermiere ndihmoi Beqirin dhe ushtroi presion në plagët e tij, por nuk ia doli.