Detaje të reja janë mësuar nga vrasja që ndodhi në zonën e “Astirit” në periferi të Tiranës.
Sipas policisë gjithçka ndodhi rreth orës 20.45 në një rrugicë, në afërsi të një lokali, në rrethana ende të paqarta. Viktima është Vilson Tafçiu i cili është qëlluar me dy plumba.
Dwshmitarë në vendin e ngjarjes thanë 28-vjeçari ka qenë i shoqëruar nga dy femra në lokal. Ai është thirrur nga njerëz ende të paidentifikuar në pjesën anësore të lokalit në një rrugicë ku është qëlluar me armë zjarri.
Për shkak të plagëve i riu ka humbur jetën në vend. Policia njofton se ka ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore si dhe vijon puna për grumbullimin e çdo prove që mund të çojë në identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Autoritetet kanë shoqëruar në komisariat dëshmitarë okularë që ndodheshin në lokal.
Mësohet se viktima ishte dënuar me një vit burg në Francë në vitin 2018 për shpërndarje të lëndëve narkotike, ndërsa ishte deportuar pasi kishte qëndruar 8 muaj në paraburgim.
“Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë bërë rrethimin e zonës në një perimetër të gjerë. Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore si dhe vijon puna nga grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, grumbullimin dhe fiksimin e çdo prove që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorëve”, thotë policia.