56-vjeçari Bujar Nasufi është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e sotme në afërsi të banesës së tij në Tiranë.
Uniformat blu njoftojnë se autori ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtonte viktima, i cili po udhëtonte i vetëm.
Si pasojë e të shtënave, 56-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:40, në vendin e quajtur “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli” në Tiranë.
Mësohet se autori është larguar me motor drejt zonës së Selitës dhe më pas ka humbur gjurmët.
Hetuesit kanë gjetur në vendin e ngjarjes 6 gëzhoja.
Viktima nuk rezulton person me precedent penalë.
56-vjeçari ishte bashkëpronar i një mobilerie së bashku me vëllanë e tij, çka ka ngritur dyshimet se krimi mund të lidhet me ndonjë konflikt të mundshëm që ka lidhje me biznesin e tij.
Bëhet e ditur se mobilieria në pronësi të viktimës dhe vëllait të tij ndodhet në afërsi të vendngjarjes.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë për kapjen e autorit.