Aktualitet Detaje të pathëna nga ekzekutimi barbar i vajzës së prokurorit Kozeta Hyseni

Detaje të pathëna nga ekzekutimi barbar i vajzës së prokurorit Kozeta Hyseni

Një krim makabër tronditi vendin, më 19 Shkurt të vitit 1999. Vajza e prokurorit nga Vlora, Luftar Hyseni, Kozeta Hyseni u gjet e masakruar me gur në kokë në Qytetin Studenti në Tiranë.

Top Story, ka siguruar nga dosja hetimore detaje ekskluzive dhe emrat e të dyshuarve që dalin në dritë për herë të parë nga kjo ngjarje e mbushur me mister. Mbrëmjen e 18 Shtatorit, rreth orës 23:40 minuta, një vajzë i thotë shoqes së ngushtë të Kozetës në korridorin e Godinës 25 ku ajo strehohej, se dikush e kërkonte poshtë. E informuar nga shoqja e dhomës numër 418, Kozeta del në ballkon por nuk shikon askënd. Ashtu siç ishte, zbret dhe nuk kthehet kurrë. Të nesërmen, në orët e para të mëngjesit ajo gjendet e masakruar me gurë në kokë pranë kinoklubit të Qytetit Studenti.

“Kanë qenë moment shumë të rënda, kam marrë guximin dhe ia kam thënë e kam parë se si një prokuror kaq i fortë te fëmija këputet, dorëzohet”, tregon Shkëlqim Hajdari, ish–prokuror

I pari që u shoqërua për ngjarjen ishte Agim Karafili, me të cilin thuhej se 20-vjeçarja kishte lidhje. Ky njihej si person me precedent penalë. Ai deklaroi se në momentet e krimit ka qenë në banesën e tij. Alibinë e konfirmoi bashkëshortja dhe prindërit e Karafilit. Ndaj tij nuk u ngrit akuzë. Agim Karafili nuk jeton më. Dikush e ekzekutoi vite më vonë.

Në atë kohë, i dyshuar ishte edhe një person i identifikuar me emrin Dritan. Ai shoqërohej me një punonjës policie të quajtur Gëzim Gelaj. Në një rast, Dritani e kishte dhunuar Kozetën dhe kishte tentuar ta përdhunonte. Siç konstatohet në një relacion të Prillit të vitit 2005 në dosjen hetimore, bie në sy fakti se asnjëherë nuk u çuan më tej veprimet për të identifikuar atë person. Sot e kësaj dite, Dritani është një person misterioz.

Aso kohe policia shoqëroi edhe një personazh të njohur të botës së krimit, Indrit Dulen nga Durrësi. Në dosjen hetimore ai përshkruhet si një person me rrezikshmëri të lartë. Ai, ishte gjendur në Qytet Studenti atë mbrëmje bashkë me dy miqtë e tij Dashamir K. dhe Arjan Matohiti, ky i fundit, i ekzekutuar vite më vonë për çështje ende të panjohura.

Ata, i kishin shprehur dëshirën shoqes së ngushtë të Kozetës, që me shoqet e dhomës të dilnin së bashku. Vajzat kishin refuzuar.

Dule, deklaroi se në momentet e ngjarjes, kishte qenë në banesën e të fejuarës. Kjo alibi e tij nuk u vërtetua kurrë pasi e fejuara nuk u mor në pyetje. Siç nënvizohet në dosjen hetimore, Dule dhe miqtë e tij japin të dhëna kontradiktore lidhur me lëvizjet e përbashkëta që ata kishin kryer në orët para dhe pas krimit. As ky ballafaqim nuk u krye kurrë nga grupi hetimor.

Në dosjen hetimore, përmendet edhe një fakt shumë i rëndësishëm lidhur me studenten që kishte njoftuar se dikush kërkonte Kozetën. Ajo është shtetasja Mirela K… 12 ditë pas ngjarjes, Mirela u largua nga Shqipëria edhe pse ishte ende studente. Për shumë vite, ajo nuk u kthye kurrë në Shqipëri. Top Story ka mësuar se Mirela u kthye në atdhe përgjatë viteve të fundit. Ajo u pyet për ngjarjen dhe deklaroi se kishte dëgjuar që dikush e kërkonte Kozetën, por nuk e kishte parë personin. Sot e kësaj dite, ngjarja është ende e pazbardhur. Nuk dihet nëse ngjarja lidhet me detyrën e babait të viktimës si prokuror, por fakti është që personat e dyshuar, kanë qenë njerëz me precedentë të theksuar penalë./ Top Story