Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje mbi masat për qarkullimin rrugor.
“Nga nesër deri të dielën, në mesnatë nuk do të lejohet të qarkullojnë automjete të transportit urban, automjete nga Tirana në Durrës, dhe automjete private brenda për brenda Tiranës, Durrësit dhe 6 qarqeve.
Qarkullimi në këto territore do të jetë i hapur vetëm për ambulancat dhe automjetet për personelin shëndetësor, farmacitë, furnizimin me ushqime, medikamente, kateringu, postare, zjarrfikës, funeral pastaj natyrisht edhe për personelin e lidhur me sistemet e furnizimit me energji elektrike apo ujësjellës plus Policia private të ruajtjes së objekteve gjithashtu aeroportuale për linjat ajrore për të cilat për të gjitha këto kur bëhet fjalë për strukturat shtetërore. Duhet të dërgohet e gjitha lista për personat që do të lejohen të qarkullojnë. Personi vetë merr një kopje të këtij emaili që i dërgohet dhe Policisë së Shtetit në faqen ku ai vetë figuron”, tha Rama.
“Me një kopje të thjeshtë në letër nëse kalohet nga postblloku do të jetë në rregull. Nuk ka arsye për të dyshuar për t’ja bërë të lehtë edhe kompanive edhe institucioneve por edhe për mos krijuar një sistem të komplikuar regjistrimi. Do të ndiqet e njëjta mënyrë dhe për të gjitha autoritetet aeroportuale përsëri në adresën e Policisë. Ky template shumë i thjeshtë do të jetë i publikuar edhe në media, duke ja lehtësuar atyre që nuk po ndjekin tani këtë komunikim”, shtoi Rama.
Njoftimi i policisë:
Në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke e konsideruar si domosdoshmëri marrjen e masave shtesë për të mbrojtur çdo qytetar, çdo familje dhe vetë Shqipërinë, nga përshkallëzimi agresiv i sulmit të COVID-19, mbi ne dhe të afërmit tanë, të mos lejohet qarkullimi i mjeteve si më poshtë:
1. Nga dita e premte, datë 13.03.2020, ora 06:00, deri të dielën, datë 15.03.2020, ora 00:00, të mos lejohet të qarkullojnë automjete të transportit ndërurban, automjetet private drejt Tiranës dhe Durrësit apo anasjelltas, nga Tirana dhe Durrësi, në drejtim të zonave të tjera të vendit.
2. Nga dita e premte, datë 13.03.2020, ora 06:00, deri të dielën, datë 15.03.2020, ora 00:00, të mos lejohet qarkullimi i automjeteve private brenda në qytetin e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Lushnjës, Fierit dhe Vlorës.
3. Qarkullimi i automjeteve në këto territore do të jetë i hapur vetëm për autoambulancat dhe automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror (personeli shëndetësor dhe social dhe shërbimet mbështetëse në strukturat e kujdesit shëndetësor, publike dhe jopublike, personeli i farmacive publike dhe jopublike, personeli që ofron shërbimet e furnizimit me ushqime, medikamente, shërbimet e kateringut, shërbimet postare, zjarrfikëse, funerale, energjisë, ujësjellës kanalizime, shërbimet private të ruajtjes së sigurisë së objekteve, shërbimet aeroportuale dhe personeli i linjave ajrore), duke dërguar pranë adresës së email: [email protected], listën e personave të autorizuar dhe duke i paraqitur punonjësve të Policisë një kopje të këtij email-i.
4. Qarkullimi i automjeteve të personave me sëmundje kronike që kanë të planifikuara terapi mjekimi në spitale, duke provuar përmes një dokumenti nevojën për trajtimin e tyre, do të jetë i hapur.
5. Do të lejohen të qarkullojnë automjete të personelit të medias, duke paraqitur dokumentin e tyre të punësimit ose kartën e gazetarit.
6. Për qarkullimin vajtje – ardhje nga aeroporti i Rinasit, drejtuesi i automjetit duhet t’i tregojë punonjësit të policisë, biletat e fluturimit të personave që do të largohen apo foton e biletave të personave që do të mbërrijnë.
7. Marrja në automjetin e punës, e personave të familjes apo personave të tjerë që s’kanë lidhje me detyrën shtetërore është rreptësisht e ndaluar dhe do të ndëshkohet me sanksione të rënda të parashikuara në legjislacionin përkatës.