Bizhuteri të konsideruara të “paçmueshme”, të shekullit XVIII janë grabitur këtë të hënë nga një muze gjerman, në atë që konsiderohet si grabitja më e madhe në histori.
Grabitësit u futën në muzeun “Grüne Geëölbe” – “Kasaforta e gjelbër”, në Dresden në orët e para të mëngjesit dhe vodhën bizhuteri që dikur i përkisnin ish-sunduesit të Saksonisë, Augustus II.
Ekspertët e muzeut thanë që gurët e çmuar të grabitur nuk mund të shiteshin kurrë, por mediat gjermane kanë raportuar se vlera e tyre arrin deri në 1 miliardë euro, çka do ta bënte këtë grabitjen më të madhe në histori.
Detajet e grabitjes
Kamerat e sigurisë kanë arritur të fiksojnë dy prej grabitësve brenda muzeut, të cilët pasi morën bizhuteritë u larguan me një limuzinë.
Sipas Policisë ata kanë arritur të shkëpusin energjinë elektrike duke çaktivizuar sistemin e sigurisë brenda në muze. Mediat gjermane raportojnë se grabitësit kanë qenë trupvegjël dhe kanë arritur të kalojnë përmes një dritareje të vogël.
Banda e grabitësve ka marrë bizhuteri historike, diamante dhe gurë të çmuar, ndërsa përllogaritjet e para flasin për një dëm prej rreth një miliardi dollarë. Ndërsa objekte të tjera si vazo dhe piktura nuk janë prekur me dorë.
Kryebashkiaku i qytetit ka qenë ndër të parët që ka mbërritur në vendngjarje duke u shprehur se kjo nuk ishte thjesht një grabitje e objekteve të çmuara, por në këtë rast ishte grabitur historia e vendit. Ai theksoi se vetëm pak kohë më parë së bashku me 600 artizanë ishte inauguruar dhe restaurimi i kasafortës së gjelbër, dhe pa këtë të fundit askush nuk do të mund ta kuptojë historinë e vendit.
Kamerat e sigurisë kanë mundur të filmojnë shumë pak nga banda e grabitësve, por Bild raporton se ata janë larguar me një limuzinë.
Kasaforta e gjelbër është e famshme në të gjithë botën për thesarin artistik që mbart. Aty ka ar dhe gurë të çmuar, porcelan, vepra arti, objekte fildishi dhe shumë objekte të tjera të cilat cilësohen si të paçmueshme.
Grabitja më e madhe në histori
Deri më tani, grabitja më e madhe në histori ishte ajo e Muzeut “Gardner” në Boston, rreth 30 vite më parë, kur u vodhën 13 vepra arti me vlerë 500 milionë dollarë.
Muzeu i Dresdenit u themelua në vitin 1723 dhe në të mbahen mijëra objekte të vlefshme historike, si monedha dhe bizhuteri. Fatmirësisht ka shpëtuar pa u vjedhur guri më i çmuar i koleksionit, një diamant 41 karat, i cili ishte dërguar përkohësisht në Nju Jork.