Bota Detajet e marrëveshjes historike për Fondin e Rimëkëmbjes

Detajet e marrëveshjes historike për Fondin e Rimëkëmbjes

Duartrokitje të gjata dhe lehtësim nga Merkel, Italia del fituara e më e madhe: Si u arrit konsensusi për ujdia historike për paketën e Coronës

Udhëheqësit europianë arritën një marrëveshje për Fondin e Rimëkëmbjes dhe Buxhetin e BE-së 2021-2027. Ky rezultat historik erdhi pas negociatave rekord që zgjatën katër ditë dhe katër netë.

Kjo u njoftua nga Presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel. Duartrokitje të gjata pasuan miratimin e konkluzioneve.

Fondi i Rimëkëmbjes ka një buxhet prej 750 miliardë eurosh, nga të cilat 390 miliardë në grante. Buxheti është caktuar në 1 074 miliardë.

Samiti që sapo përfundoi ishte samiti i dytë më i gjatë në historinë e Bashkimit Europian.

Merkel: Një ogur i mirë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ndihet e lehtësuar pas marrëveshjes së arritur për paketën e rimëkëmbjes së BE dhe buxhetin afatgjatë pas ditëve të gjata të negociatave.

“Jam shumë e lehtësuar. Në shkurt nuk kemi pasur sukses, por tani ia dolëm. Ky është një sinjal i mirë”, theksoi ajo në një konferencë për shtyp.

“Ngjarje të jashtëzakonshme si kjo pandemi që na ka prekur të gjithëve, gjithashtu kërkojnë metoda të jashtëzakonshme. Ajo mori edhe një kohë të jashtëzakonshme”, shtoi Merkel.

Në të njëjtën konferencë shtypi, presidenti i Francës, Emmanuel Macron theksoi se ”ishte i lumtur që kishte bërë një politikë solidariteti së bashku me homologen e tij gjermane”. “Përfundimet janë vërtet historike”, theksoi Macron.

Italia më e fituara

Italia, e goditur më shumë nga shpërthimi i virusit është përfituesi më i madh dhe do të marrë 209 miliardë euro: 127 miliardë euro kredi dhe 82 miliardë euro në grante.

Kompromis për fondet

Të hënën u zgjidhën pas diskutimesh të shumta dy nga pikat kyçe të paketës. Së pari u arrit një kompromis për programin e Coronës që hapi rrugën për ujdinë finale. Austria, Danimarka, Suedia dhe Holanda pranuan marrjen e borxheve të përbashkëta dhe që fondet të shkojnë në formë grantesh tek shtetet e BE. Nga ana tjetër Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja ranë dakord që shuma e programit të Coronës në formë grantesh të reduktohet, nga 500 miliardë në 390 miliardë euro. Ky ishte një element i rëndësishëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjes financiare.

Austria, Danimarka, Suedia dhe Holanda – të vetëshpallurit “katër kursimtaret” – të mbështetur dhe nga Finlanda kishin kërkuar që vendeve në nevojë si Italia apo Spanja t’u jepen kredi dhe jo ndihma financiare që nuk ka nevojë të shlyhen. Për të arritur një kompromis në samit u ra dakord që shuma e ndihmave financiare të ulet dhe të jepen më tepër para në formë kredie.

Si problematike janë parë planet e Komisionit që BE-ja të marrë për herë të parë hua shuma të mëdha për programin stimulues të ekonomisë dhe për investimet. Disa nga vendet anëtarë kanë frike se marrja e një huaje dhe një borxh i përbashkët do t’i rëndojë edhe më tepër taksapaguesit e vendeve të tyre.