Në sajë të operacionit të koduar “Avokati”, blutë e Tiranës kanë bërë të mundur arrestimin e një avokati, i cili i kishte zhvatur një shtetasi (1.7 milionë lekë të reja). 35-vjeçari Gazmir Xhurxhi me profesion avokat, i ka marrë nëpërmjet mashtrimit këtë shumë të konsiderueshme shtetasit me inicialet H.D. Këto lekë avokati ia ka marë duke falsifikuar disa fatura.
“Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë finalizuar me sukses operacionin e përbashkët, me metoda speciale të hetimit të koduar “Avokati”.
Në kuadër të këtij operacioni, u bë ndalimi i shtetasit Gazmir Xhurxhi, 35-vjeç, banues Tiranë, avokat. Arrestimi i shtetasit të sipërpërmendur u bë për veprën penale “Mashtrim në shuma të mëdha”, “Fshehje të ardhurave” dhe “Falsifikim i dokumenteve”, parashikuar nga nenet 143/2, 180 dhe 186 i K.Penal”, pasi; shtetasi Gazmir Xhurxhi me profesion avokat, i ka marrë nëpërmjet mashtrimit 1.700.000 lekë, (1.7 milionë lekë të reja), duke falsifikuar disa fatura dhe dokumente shtetasit; H. D, 59-vjeç, banues në Klos.
Sa i takon këtij rasti, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.