40-vjeçari Roland Milo ka pranuar në polici autorësinë e vrasjes së shokut të tij Sokol Rama, për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Milo u arrestua një ditë më parë në Vaqarr të Tiranës, ku qëndronte i fshehur në banesën e motrës së tij e më pas u dërgua në Komisariatin e Gjirokastrës. Pas gjetjes së trupit të pajetë të Sokol Ramës, policia ngriti dyshime të forta se kishte qenë pikërisht shoku i tij autori i ekzekutimit.
Sokol Rama dhe Roland Milo bashkëpunonin prej 2 vitesh, kryesisht në vjedhje banesash dhe transportim lëndësh narkotike.
Milo ishte ai që identifikonte banesat në Përmet, ndërsa vjedhjet kryheshin nga Sokol Rama.
Duket se mosmarrëveshjet në ndarjet e fitimeve kanë qenë shkaku kryesor i grindjes mes dy shokëve.
Së fundi ata kishin pasur konflikte për një shumë prej 3500 eurosh që duhej të ndanin mes tyre. Roland Milo, punonte si shofer i administratorit të njësisë Frashër dhe e kishte përfshirë Sokol Ramën në pazarin e drogës.
Ditën kur ndodhi vrasja, ai kishte refuzuar t’i jepte Sokol Ramës shumën e caktuar për trafikun e drogës dhe debati përfundoi me ekzekutimin e tij në kthesën e Piskovës, pranë Përmetit.
Më pas Roland Milo e ka hedhur makinën me trupin e pajetë në humnerën pranë fshatit Mbrezhdan të Këlcyrës.
I ndodhur para provave të pakundërshtueshme të policisë si arma e vrasjes dhe gjurmët e gishtave në makinë, Milo nuk ka pasur rrugë tjetër veçse të pranojë akuzën e vrasjes me dashje te shokut te tij, shkruan Balkanweb.