Dhëndri i ish-kryeministrit Berisha dhe njëkohësisht kreu i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike ka kritikuar sot organizatorët e protestës së opozitës para godinës qeveritare.
Në një lidhje direkte për ‘News24’ nga brenda çadrës, Malltezi tha se ndihej më i kënaqur me pjesëmarrjen sesa me organizimin e protestës.
“Lajmi kryesor nuk ishte protesta në vetvete, por bashkimi me protestën e opozitës edhe i shumë militantëve nga Partia Socialiste. Zakonisht qeveritë premtojnë shumë dhe realizojnë pak, por kjo qeveri ka hyrë në rekordin Guines për mosmbajtjen e premtimeve. Unë jam shumë më i kënaqur me pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë, sesa me organizimin e saj. Për fat të keq PD shpesh i merr gjërat shumë spontanisht”, – tha Malltezi.
I pyetur nëse do të jetë kandidat i PD-së për deputet në zgjedhjet e 18 qershorit, Malltezi u përgjigj se: “Nuk e di, nuk përbën lajm, as për mua as për shqiptarët, secili të bëjë misionin e tij, unë dua të bëj më të mirën për mjedisin, turizmin, do isha më i lumturi në botë sikur të ngelesha pa punë, nëse mjedisi të ishte pa asnjë problem”.
Ndërkohë ai ka bërë edhe një krahasim mes ish- kryeministrit Berisha dhe kreut aktual te PD Basha.
“Basha dhe Berisha janë personalitete të ndryshëm qe kanë jetuar në periudha të ndryshme. Brezat ndryshojnë. Personaliteti është i ndryshëm. Në atë kohë Berisha burgosi 204 banda, tani këto banda po dalin. Vjedhja morale është e madhe. Situata tani është ndryshe dhe është edhe pak më e vështirë”, tha Malltezi.