Kryeministri Edi Rama foli në konferencë edhe për dhunën e ushtruar ndaj Sekretarit Organizativ të PD Sahit Dollapit.
Rama tha se ai ishte veprim i tepërt, por duhet kuptuar se policia ishte në luftë në ato momente.
“Po do kishte qenë perfeksion i gjithë qëndrimi i policisë së shtetit dje në 7 orë sulme, nëse në ato 2-3 sekonda, një incident u krijua. Dy punonjës nuk do kishin goditur me shkop gome dikë që i kishte ikur policisë me vrap. Ky që ikën ka një arsye. Në vende me demokraci shumë më të konsoliduar se e jona do ta kishte pësuar shumë më keq. Mos harroni se të veprosh në ato kushte te jesh nën flakë e gurë, e një presion shtazarak nuk është gjëja më e kollajshme dhe nuk janë kushtet optimale për të pasur qartësi në çdo moment.
Të qëndrosh në presion shtazarak për 7 orë nuk është gjë e kollajshme.
Mirëkuptoj dhe ata të dy punonjësit e policisë që bënë një veprim të tepërt, duke gjykuar ne nga ekrani, me kollajllëkun që shikohet ku e sheh nga ekrani. Ama hipokrizi më të madhe dhe përqeshje më të madhe me shqiptarët sesa atë incident, në aspektin teknik dhe etik ta kthesh në një histeri për të provuar se në 7 orë ishte policia e shtetit shkaktarja e asaj që pamë nuk ka”, tha Rama.