Një tjetër natë trazirash u shënua në Francë, me përleshje të ashpra mes policisë dhe manifestuesve në qytetin jugor të Marsejës.
Të paktën 719 vetë u vunë në pranga, më pak se natën e kaluar kur pati me shumë se 1300 të arrestuar.
Ministri i brendshëm Gerald Darmanin tha se situata kishte qenë më e qete, ndërsa vlerësoi punën e 45 mijë policëve te angazhuar për të garantuar sigurinë.
Në periferinë e Parisit, L’Haÿ-les-Roses, agresorët përplasën një automjet pas shtëpisë së kryebashkiakut, duke plagosur bashkëshorten e tij, teksa përpiqej të largohej së bashku me dy fëmijët. Kryebashkiaku, Vincent Jeanbrun e cilësoi këtë, një përpjekje frikacake për vrasje.
Pamje që qarkulluan online, treguan policinë në Marsejë teksa përdorte gaz lotsjellës kundër qytetarëve.
Përleshje u panë në La Canebière, bulevardi kryesor në zemër të qytetit, mes grupeve të mëdha të manifestuesve dhe efektivëve.
Prani të madhe policore kishte edhe përgjatë Champs Elysse në Paris, mes thirrjeve në rrjetet sociale për grumbullimin atje të protestuesve. Megjithatë prania e forcave të sigurisë mbajti larg shumicën e protestuesve.
Sipas raportimeve 194 vetë u arrestuan në kryeqytet. Rrëmujë pati edhe në Lille, ku u dogj një qendër shëndetësore, në Lyon, Nice dhe Strasburg.
E megjithatë autoritetet shpresojnë se kjo mund të jetë arritur pika e kthesës, kur protestuesit e kanë humbur energjinë falë operacionit të sigurisë dhe pritshmërisë jo popullore të tyre. Zemërimi shpërtheu pas vrasjes së një 17-vjecari nga policia në Nanterre, ku jeton një popullsi me etni të përzier.