Extra Pse Varshava është destinacioni më i mirë që duhet të vizitoni në...

Pse Varshava është destinacioni më i mirë që duhet të vizitoni në Europë në vitin 2023

Ndërsa notat e sonatave të Shopen, mbushën ajrin e qendrës historike të Varshavës gjatë një koncerti, përtej pemëve përreth, më shumë se 500,000 njerëz u mblodhën për të protestuar kundër qeverisë, në një nga demonstratat më të mëdha të Polonisë, që nga koha e rënies së komunizmit në vitin 1989.

Koncerti i pianos – i mbajtur pranë një monumenti të madh të kompozitorit më të famshëm të Polonisë, Frederik Shopen, i krijuar në vitin 1926, i shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe rindërtuar në vitin 1958 – është një traditë javore, që organizohet çdo verë që nga viti 1959, duke shfaqur mbledhur pianistë të njohur nga të gjitha anët e botës.

Së bashku me Shopen, Varshava krenohet me një sërë figurash historike, si të kaluara ashtu edhe të tashme. Midis tyre: dy herë fituesja e çmimit Nobel, Marie Curie (e para femër dhe fituesja e vetme në dy fusha shkencore), Karol Józef Wojtyła (i njohur më mirë si Papa Gjon Pali II), artistja Tamara de Lempicka dhe superylli i futbollit, Robert Lewandowski.

I rindërtuar nga rrënojat

Varshava në rrënoja, rreth vitit 1945, në fund të Luftës së Dytë Botërore. Një pjesë e qytetit u kthye në një geto hebrejësh nga nazistët, të cilët më vonë shkatërruan të gjithë geton dhe banorët e saj.

I shpallur nga UNESCO si vend i Trashëgimisë Botërore, për “vlerën e tij të jashtëzakonshme universale”, qyteti “u shkatërrua qëllimisht në vitin 1944, në shtypjen e rezistencës polake kundër pushtuesve gjermanë nazistë”.

Kryeqyteti, i njohur sot si “Parisi i Lindjes”, u shkatërrua në një përpjekje për të zhdukur traditën shekullore të shtetit polak dhe të popullsisë së tij hebreje, prej 375,000 banorësh, e cila përbënte gati një të tretën e popullsisë së qytetit.

Rindërtimi i qytetit të vjetër, në formën historike urbane dhe arkitekturore, “mishëron dëshirën për të siguruar mbijetesën, e një prej dëshmive më domethënëse të kulturës polake, simbol i pushtetit zgjedhor dhe tolerancës, ku Kushtetuta e parë demokratike europiane u miratua në 1791”, shkruan UNESCO.

Integrimi në kuadrin e një programi ruajtjeje, siç shpjegohet nga Kombet e Bashkuara, ka rezultuar në krijimin e hapësirës së veçantë urbane të Varshavës, në aspektin material (forma e pjesës më të vjetër të qytetit), funksional (një zonë banimi dhe vend i ngjarjeve historike, shoqërore dhe shpirtërore) dhe simbolik (një qytet i pamposhtur).

E bukur, tradicionale, e gjithanshme

“Qendra historike e Varshavës, është një shembull i jashtëzakonshëm i rindërtimit të plotë, të një qyteti të shkatërruar qëllimisht dhe plotësisht, shpjegon Organizata e Qyteteve të Trashëgimisë Botërore (Organisation des Villes du Patrimoine Mondial, OVPM). “Ky rindërtim material, e gjen origjinën e tij në forcën e brendshme dhe vullnetin e pamposhtur të kombit.”

E mbushur me energji elektrizuese plot gjallëri, është destinacioni i përsosur për një pushim në qytet, gjë që shpjegon përzgjedhjen e tij si vendi europian numër një, për t’u vizituar në 2023, nga organizata “Destinacionet më të mira europiane” (European Best Destinations, EBD).

Me më shumë se 400 qytete kandidate të Europës, dhe bazuar në numër rekord votash (700,000) nga udhëtarët nga 78 vende, Varshava fitoi vendin e parë të 20 destinacioneve më popullore në Europë, e ndjekur nga Athina (Greqi), Maribor (Slloveni), Vjena (Austri) dhe Cittadella (Itali), në pesë vendet e para.

“Varshava është një qytet, që sfidon të gjitha stereotipet,” shpjegon EBD. “Kryeqyteti i Polonisë, me historinë e pazakontë dhe komplekse, është një qytet dinamik dhe modern, me bukuri tradicionale dhe energji bashkëkohore. I befason dhe kënaq ata, që zgjedhin ta vizitojnë.” / Forbes