Breshëri me shishe dhe sende të tjera të forta drejt arbitrave. Ndodh në Kavajë, në një sfidë rivalësh në Kategorinë e Parë mes Besës dhe Bylisit, që synojnë kthimin në Superiores. Një sfidë e nxehtë, që ka degjeneruar në dhunë ndaj arbitrave në pjesën e dytë të saj.
Njëri nga asistentët, Denis Rexha, është goditur me gurë në pjesën e dytë, në minutën e 70-të, duke e detyruar kryesorin Klajdi Kola ta ndërpresë ndeshjen. Përpjekjet për ta qetësuar situatën nuk rezultuan të suksesshme dhe Kola, në bashkëpunim edhe me zyrtarët e ndeshjes, vendosën ta mbllynin para kohe takimin, edhe pse kishin mbetur për t’u luajtur edhe 20 minuta të tjera.
I gjithë ky irritim ka ardhur për faktin se Bylisi ishte në avantazh 0-1 dhe Besa nuk po arrinte të barazonte në këtë sfidë vendimtare për vendin e parë. Në momentin kur arbitri Kola ndëshkoi me karton të kuq Danajn e Besës, tifozëria kavajase shpërtheu në dhunë, duke hedhur shishe drejt arbitrave dhe në atë moment është goditur asistenti Rexha. Arbitrat tentuan të futeshin në dhomën e tyre në stadium, por nga tribuna kanë vërshuar një breshëri sendesh të forta drejt tyre. Policia ka marrë në mbrojtje arbitrat në mes të fushës, ndërkohë që edhe futbollistët e Besës kanë tentuar t’i mbrojnë, duke i rrethuar dhe duke u kërkuar tifozëve të qetësoheshin.
Edhe futbollistët e Bylisit me shumë vështirësi janë futur në dhomat e zhveshjes, sepse acarimi i tifozëve të Besës ishte i madh. Ky ishte episodi i radhës i dhunës në futbollin shqiptar, që duket se tani në fund të kampionatit po bëhet edhe më i shpeshtë.