Drejtori i OSHEE-së së Lezhës Edmir Perndreca, 43 vjeç, është dhunuar mbrëmjen e kësaj të mërkure nga persona të paidentifikuar.
Zanafilla e ngjarjes nisi në aksin rrugor Shënkoll – Lezhë, teksa drejtori i OSHEE udhëtonte me makinën e punës dhe u godit nga mbrapa nga një automjet tjetër.
Pas përplasjes, drejtori i OSHEE dhe shoferi i makinës së dytë nisën të konfliktoheshin.
Në konflikt u përfshinë edhe dy pasagjerët që ndodheshin në makinën e dytë, të cilët dhunuan drejtorin e OSHEE. Ky i fundit ka pësuar dëmtime fizike dhe u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Gjendja e tij paraqitet jashtë rrezikut.
Grupi hetimor vazhdon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për të identifikuar dhe shoqëruar autorët e përfshirë në këtë konflikt.