Aktualitet Pengmarrja e Jan Prengës në Kamzë, arrestohet në Spanjë Gentjan Funiqi

Pengmarrja e Jan Prengës në Kamzë, arrestohet në Spanjë Gentjan Funiqi

Një nga personat që ka organizuar dhe ka marrë pjesë në rrëmbimin e Jan Prengës në vitin 2020 në Kamzë, është arrestuar në Spanjë nga policia spanjolle, në bashkëpunim me policinë shqiptare.

Bëhet fjalë për Gentjan Funiqin 40 vjeç nga Shkodra, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare. Në momentin e arrestimit nga policia spanjolle, atij iu gjet një dokument i falsifikuar me identitet bullgar, Rayko Ivanov. Po kështu iu sekuestrua edhe një sasi droge që posedonte.

Gentjan Funiqi njihet edhe me dy identitete të tjera, Gentjan Martini dhe Festim Olomani.

40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”. Gentjan Funiqi do të ekstradohet drejt Shqipërisë.

Ky person dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, morën peng në Kamzë Jan Prengën. Prokuroria thotë se ky i fundit është vrarë, por trupi nuk i është gjetur ende.

Festim Bexhdili është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për rrëmbimin me pasojë vdekjen dhe zhdukjen e kufomës së Jan Prengës. Ndërsa Olsi Turja është dënuar me 3 vite burg si person që ka penguar zbardhjen e ngjarjes.