Një 37-vjeçare është gjetur e vrarë në një kanal në zonën e livadheve pranë By-Passit të Shkodrës në lagjen “Ahmet Haxhija”.
Policia thotë se viktima është Leze Qosaj (K) lindur në Tropojë dhe banuese në Dobraç të Shkodrës.
37-vjeçarja ka shenja dhune dhe dëmtime të shumta në trup dhe kokë. Viktima dyshohet që të ketë qenë e vdekur prej 2-3 ditësh, pasi trupi është pjesërisht i dekompozuar. Ndërsa policia sot u sinjalizua përmes një telefonate në sallën operative.
37-vjeçarja ishte shpallur e humbur, pasi më datë 18 Maj, motra e viktimës kishte bërë kallëzim në Policinë e Shkodrës. Ajo kishte kallëzuar se 37-vjeçarja Leze Qosaj ishte larguar nga banesa ku jetonte me motrën.
Trupi i pajetë është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore. Dyshohet se viktima është dhunuar për vdekje dhe është lënë në vendin ku u gjet. Grupi hetimor i policisë nisi hetimet për të zbardhur ngjarjen dhe për të identifikuar e arrestuar autorin/ët.