Pas 30 mjekëve dhe infermierëve në fund të marsit, sot drejt Italisë për ta ndihmuar vendin fqinj në luftën kundër koronavirusit, Shqipëria ka nisur një tjetër grup me 60 bluza të bardha. Pas pak ditësh do të rikthehet grupi i parë i 30 mjekëve dhe infermierëve, ndërsa do të vijojnë betejën me kolegët italianë 60 infermierët.
Ashtu sikurse ndodhi edhe herën e kaluar, infermierët shqiptarë do të priten në Itali nga ministri i Jashtëm, Luigi di Maio.
“Sot mbërrijnë në Itali një grup me 60 infermierë nga Shqipëria për të dhënë mbështetje spitaleve tona. Një ndihmë konkrete, një dhuratë tjetër, që vjen nga miqtë tanë shqiptarë. Faleminderit Edi Rama për solidaritetin dhe ndihmën ndaj Italisë. Shihemi në 16:30. Nuk jemi vetëm”, shkruan Di Maio.
Ambasadori italian: Gjest i jashtëzakonshëm, faleminderit nga zemra
Ambasadori italian në Tiranë Fabrizio Bucci ka falenderuar Shqipërinë për ndihmën me 60 infermierët në luftën kundër koronavirusit. Ai ishte i pranishëm së bashku me ministren Ogerta Manastirliu në momentin e nisjes së infermierëve drejt Romës. “Ju falënderoj për këtë gjest të jashtëzakonshëm. Faleminderit nga zemra” tha ai.
Manastirliu: Solidaritet me popullin mik
“Ju falënderoj për atë që po bëni për misionin tonë të dytë humanitar në kuadër të solidaritetit që tashmë është pjesë, prioritet kyç kundër COVID-it, që na mban dhe bashkon. Ju falënderoj dhe jam e bindur se sikur na bëri krenarë grupi parë që nisëm në Itali në misionin e parë për të ndihmuar Italinë, ashtu edhe ju do të na bëni krenarë. Ju falënderoj në emër të kryeministrit.
Dua ta perifrazoj me fjalët e Nënë Terezës. Nëse mendoni se ajo që bëjmë është vetëm një pikë uji në oqean, por pa këtë pikë uji oqeani do të ishte më i vogël. Faleminderit. 60 infermierë do të luftoni me kolegët italianë në frontin e luftës kundër COVID. 30 mjekët dhe infermierët e tjerë për pak ditë do të rikthehen, ju do të vijoni misionin. Është momenti për të treguar shpresë dhe solidaritet për popullin mik italian që na ka mbështetur gjatë këtyre viteve dhe është më e pakta që mund të bëjmë.
E treguan edhe më së fundmi me tërmeti. Jemi ende në mes të luftës dhe të gjithë bashkë do ia dalim. Sikur u premtuam edhe kolegëve që u nisën në Itali, sa kohë që ata nuk do të ishin këtu do të kujdesemi ne për familjet tuaja. Ju shkoni të qetë dhe kujdesuni për veten dhe të riktheheni shëndoshë e mirë, ky nuk është vetëm dëshirë, është detyrim për ju.
Ruani për veten dhe për kolegët, do të punoni si të barabartë me profesionalizmin që keni ju. Profesionistët tanë kanë të njëjtat aftësi si në vendet europiane. Do të doja t’u përqafoja të gjithëve, por duhet të ruajmë distancimin fizik. Deri në Romë do u shoqërojë ministri i Jashtëm. Kur të ndaheni në strukturat spitalore në Ankona apo ku të vendoset”, tha ministrja Manastirliu në momentin e nisjes së infermierëve drejt Romës.