Bota Republika Çeke kërkon mbylljen e kufijve të vendit për një vit

Republika Çeke kërkon mbylljen e kufijve të vendit për një vit

Presidenti çek, Milos Zeman u ka thënë qytetarëve që të shijojnë bukurinë e vendit të tyre këtë verë, pasi udhëtimi përtej kufijve do të ndalohet për një vit të plotë si rezultat i pandemisë Covid-19.

Kreu i shtetit tha në një intervistë në radio se ”kufizimet aktuale kufitare duhet të zgjasin një vit, në mënyrë që të mos shkaktohet ndonjë valë e re e infeksionit nga udhëtarët që shkojnë në vendet ku epidemia nuk ka mbaruar”.

Në mes të marsit, Republika Çeke vendosi një ndalim të gjerë për të hyrë dhe lënë vendin.

Përjashtime nga ndalimi i daljes aktualisht zbatohen për udhëtarët, drejtuesit e kamionëve dhe për raste të pashmangshme, përfshirë trajtimin mjekësor.

Agjencitë e udhëtimit dhe kompanitë e tjera të turizmit kishin kërkuar më parë që gjatë verës të lejoheshin të paktën udhëtimet drejt Sllovakisë dhe Kroacisë, të cilat janë destinacione veçanërisht të njohura të pushimeve për çekët dhe ku infeksionet me koronavirus janë të rralla.