Në Bari të Italisë u zhvillua këtë të shtunë një ceremoni në përkujtim të 30-vjetorit të fillimit të emigracionit shqiptar. Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, tha se Shqipëria dhe Italia duhet të shohin me krenari ato që janë realizuar këto 30 vite.
Di Maio u shpreh se Italia do të jetë e angazhuar për realizimin e procesit historik të integrimit të vendit tonë në BE. Ai u bëri thirrje vendeve skeptike që të lenë pas paragjykimet dhe të nisë vrullshëm procesi i zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor në BE.
“Lidhja jonë që tashmë është e fortë e gjen mbështetjen edhe në aleancën atlantike. Nuk mund të mos quhemi të kënaqur, të bashkuar në flamurin e BE-së. Vetë Europa nuk mund ta quajë veten të bashkuar nëse do të qëndrojnë jashtë Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Italia do të vijojë të jetë e angazhuar derisa ky proces historik të realizohet sa më shpejt. Para një viti KiE u shpreh pro çeljes së negociatave. Ky vendim duhet të gjejë një zbatim dhe ftesa jonë është drejt të gjithëve që të mos jenë ngurrues dhe të hedhin poshtë paragjykimet e tyre. Europa duhet të bëjë një zgjedhje historike që duhet të shtyhet më tej. Duhet të fillojë me vrull procesi i zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Di Maio.