30 shkrimtarë evropiane, mes tyre edhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, kanë nënshkruar një letër të botuar në gazetën “Liberation” disa ditë më parë, ku vënë alarmin për kërcënimet që po i kanosen kontinentit tonë, për braktisjen e tij nga aleatët tradicionalë, si SHBA dhe Britania, për rrezikun rus dhe thirrjet që vijnë nga brenda vetë Evropës për t’u kthyer brenda identiteteve kombëtare”.
E sulmuar nga profetë të rremë, të cilët janë të dehur nga hidhësia, po aq nga pandehma se ka mbërritur ora e tyre, e braktisur nga dy aleatë të mëdhenj, një përtej La Manshit dhe tjetri përtej Atlantikut, që në shekullin e kaluar e shpëtuan dy herë nga vetëvrasja, e brishtë përballë ndërhyrjes përherë e më arrogante nga zoti i Kremlinit, Evropa si ide, vullnet dhe përfaqësim po shembet para syve tanë”, thuhet ndër të tjera në letër.
Idea e një Evrope të trazuar shfaqet e tek romani i ri i shkrimtares Diana Culi, “Vrasje në kryeministri”.
Më poshtë shkrimtarja vjen në një bisedë për Shqiponline për populizmin e nacionalizmin që po mbizotëron në Evropën e sotme.
Subjekti i romanit tuaj të fundit Vrasje në kryeministri përkon me thelbin e letrës së 30 shkrimtarëve evropiane, që bëjnë thirrje për të mos e lënë kontinentin e vjetër evropian të copëtohet nga “varrmihësit e Evropës”, siç e quajnë ata.
Si e shpjegoni këtë koincidencë?
Nuk e mendoj koincidencë, pavarësisht se botimi i librit doli fare pa kohë para botimit të letrës. Dhe e merrni me mend se edhe shkrimi i një romani kërkon një kohë të vetën të gjatë. Ideja ime është dhe ideja e të gjithë atyre që e duan Evropën e Bashkuar dhe që mbështesin ëndrrën e Etërve Themelues, që u bë realitet, por që mund të shkatërrohet nga rryma të kundërta. Këtë ide, që nxitet nga vetë ato që po ndodhin në Evropë prej kohe, që po ndodhin në Ballkan, ku ngrenë krye herë herë nacionalizmat e populizmat, që i shkojnë për mbroth oligarkëve lokalë, u mundova ta mishëroj në subjektin e romanit tim.
Përse ky thriller zhvillohet në Ballkan?
Sepse rajoni i Ballkanit, që mund të shpresojë për një të ardhme më të mirë, për paqe e mirëqenie vetëm po u bë pjesë e Bashkimit Europian, nuk shpëton gjithashtu nga vullkanet që ziejnë përbrenda e që mund të shpërthejnë. Interesa grupesh ekonomikë, ideologji nacionaliste e sovraniste, mund ta ndërpresin rrugën që mezi po hapet drejt kësaj të ardhmeje.
Dhe ju përdorët zhanrin e thriller-it për të thënë të gjitha këto?
Po. Ky ishte synimi. Padyshim, nuk dua t’i tremb lexuesit e ata të pandehin se në libër ka konferenca për BE|-në, përkundrazi. Sigurisht. Subjekti i romanit të tërheq, të mban pezull dhe ne si lexues ndjekim aventurat e Beti Dukës nëpër Ballkan, ku kërkon të zbulojë këto fije të ndërlikuara. Ndjekim personazhet e ndryshëm, duke vrarë mendjen se kush mund të jetë « i keqi », e herë na duket njeri e herë tjetri.
Ju ka munduar kjo teknikë ?
Kuptohet se nuk është aspak e lehtë të ndërtosh një formulë të ngatërruar – ku të ngatërrosh dhe lexuesin, ta bësh librin tërheqës, si po thoni ju dhe ketë mbajtje fryme pezull. Kërkon shumë logjikë, si një formulë matematike, lëndë në të cilën nuk kam qenë e fortë, por ja që thriller-i më detyron të marr parasysh të gjithë faktorët ndërveprues.
T’i rikthehemi përsëri Ballkanit.
Në libër vihet re një njohje shumë e mirë e rajonit, e zakoneve, qyteteve, kulturave, njerëzve të tij. Marrëdhëniet mes personazheve, që janë me origjina të ndryshme të vendeve ballkanike, janë tepër interesante dhe thyejnë skemat.
Eshtë realitet apo e bërë me qëllim ?
Njohja e rajonit – që është një njohje e vërtetë dhe shumëvjeçare e imja – më ka shtyrë vetvetiu që të jem më realiste ndaj marrëdhënieve njerëzore dhe të mos bie pre e skemave dhe paragjykimeve që kemi patur e kemi, që i kemi ushqyer edhe nga mos-njohja e mos-dashja për të njohur njeri tjetrin. Fatkeqësisht edhe nga politikat e egra etnike e nacionaliste.
Keni një personazh serb, Rehanoviçin, i cili është shumë simpatik. Për të thyer skemën?
Edhe për këtë. Edhe sepse në çdo vend të botës e në çdo shoqëri e komb ka njerëz simpatikë, të mrekullueshëm, që sjellin pozitivitet. Një i tillë është Rehanoviçi. Iu shmanga përshkrimit të një serbi bazuar në paragjykimin tonë tipik, pra që të ishte « i keqi”.
Muzika shoqëron grupin udhëtar të librit, po edhe vetë lexuesin. Vihet re një lidhje juaja e thellë me të. Është kështu dhe në jetë, apo është mjet artistik i këtij subjekti ?
Është kështu dhe në jetë. Më shoqëron vazhdimisht dhe me sa duket nuk i rezistova tundimit dhe e bëra mjaft të pranishme. Por, mendoj se në këtë libër i shkon më tepër subjektit, siç e keni vënë re dhe ju, me të drejtë.