Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do mbyllet me sukses regjistrimi i plotë i të gjithë shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë.
Gjatë prezantimit të “Planit për diasporën”, kryeministri Rama falënderoi të pranishmit, përfaqësuesit e LSI dhe partnerët e vendeve të tjera, duke i bërë thirrje PD që të jetë e pranishme, pasi sipas tij, kjo është një temë që nuk ka qasje të majtë apo të djathtë, por ka qasje unifikuese kombëtare.
“Ministri ka bërë të mundur që në këtë tryezë të gjendet sot një dokument i rëndësishëm si pikënisje që ta çojmë përpara dhe ta mbyllim me sukses regjistrimin e plotë të të gjithë shqiptarëve ku ata jetojnë.
Dua të falënderoj përfaqësuesit e LSI dhe nuk është sekret që me të njëjtën gatishmëri dhe sens të interesit të përbashkët të kishim këtu dhe përfaqësuesit e opozitës kryesore, PD, sepse kjo është një temë që s’ka qasje as majtas as djathtas, por qasje unifikuese kombëtare.
Falënderoj përfaqësuesit e vendeve partnere që janë këtu dhe kam besim që eksperienca e shumëllojshme dhe e pasur e vendeve të përfaqësuara është një burim, që ne mund ta shfrytëzojmë në funksion të këtij procesi”, tha Rama.