Në një takim për sensibilizimin e punësimit të grave të prekura nga kanceri i gjirit, e ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones ka ndarë për publikun një histori të dhimbshme personale.
Zyrtarja e ambasadës amerikane ka treguar se pikërisht në këtë muaj, 12 vite më parë ajo humbi mamanë e saj për shkak të kancerit.
“Do të doja të ndaja me ju sot diçka thellësisht personale. 12 vjet më parë në këtë muaj unë humba mamanë time për shkak të kancerit. E di personalisht që kanceri i gjirit na prek të gjithëve, pavarësisht se kush jemi apo nga vijmë. Partitë politike? Të parëndësishme! Pasuria? Të parëndësishme! Ne e dimë se diagnoza e kancerit është tragjike dhe zemërthyese për familjen”.
Leyla Moses-Ones i bëri thirrje gjithashtu klasës politike shqiptare që të lënë mënjanë ndasitë e tyre dhe të bëhen bashkë për kauza të tilla të rëndësishme.
Zyrtarja e ambasadës së SHBA apeloi gjithashtu që palët politike të bashkëpunojnë për reformën zgjedhore dhe të jenë shembull për qytetarët.
“Liderët shqiptarë duhet të punojnë bashkë për të përmirësuar situatën për gratë në Shqipëri, veçanërisht atyre me kancer gjiri. Shpresoj që kjo do të jetë një fushatë e përbashkët ku drejtuesit politikë të Shqipërisë të mblidhen së bashku për ta çuar vendin përpara. Koha është tani dhe mundësia është këtu. Gratë drejtuese shqiptare duhet të punojnë bashkë për të dhënë shembull të shkëlqyer për qytetarët tuaj. Të gjitha këto janë të mundshme me drejtues të mirë në krye”.
Në këtë takim sensibilizues ishin të pranishëm edhe ambasadori i BE-së në Tiranë dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.