Disa ministra të qeverisë Rama, kanë paraqitur dorëheqjen pas bërjes publike të dosjes së ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal. Kjo është ajo që deklaroi kreu i demokratëve, Sali Berisha, mesditën e së hënës përpara mediave.
“Disa ministra të kabinetit të qeverisë Rama kanë paraqitur dorëheqjen. Kam dokumente, do t’i bëj publike në momentin e duhur”, tha kryedemokrati në një konferencë për mediat nga selia blu.
Berisha kishte në duar një dokument që, sipas tij, është publikuar nga Business Insider në shtator të vitit 2022.
“Është dokumenti që fakton se gjykata e SHBA, Juria e Madhe me 24 vetë, është juria më e madhe për çështjet më sensitive, ka autorizuar prokurorin, ka paraqitur këto kërkesa që i ka miratuar Juria e Madhe për të hetuar, për të nisur hetimin për Edi Ramën dhe qeverinë shqiptare. Prokurori ka marrë autorizimin e gjykatës. Të gjithë ata që thonë se nuk është nën hetim, mashtrojnë më mënyrë të paskrupullt,” u shpreh ish-kryeministri.
Ndërsa citonte atë që ishte shkruar në dokument, Berisha tha se autoritetet në SHBA kanë regjistrime, dokumente, materiale të lidhura me “Ramën, qeverinë dhe çdo person të lidhur me qeverinë e Shqipërisë.”
…Të gjithë ata që thonë se nuk është nën hetim, mashtrojnë në mënyrë të paskrupullt.
Një urdhër i tillë është hetim, hetim dhe vetëm hetim. Dhe ky urdhër thotë se e kam lexuar në shtator dhe po e lexoj përsëri:
-Regjistrime, dokumente, materiale të lidhura me sa vijon,
Çdo dhe të gjithë regjistrimet, materialet nën posedim, që dokumentojnë çdo komunikim personal, përfshi, por jo vetëm të mesazheve, teksteve celulare, mesazheve, emaileve elektronike, mesazheve të enkriptuara, mesazhet zanore, letrat, shënimet mes jush dhe Charles McGonigal lidhur me pikat në çështjet që vijojnë: Agron Neza, Lou Bladel-paraardhës i McGonigal në disa kontrata me Edi Ramën, qeveria e Republikës së Shqipërisë ose çdo person i lidhur me qeverinë e Republikës së Shqipërisë.
A e kuptoni? Çdo person i lidhur me qeverinë e Republikës së Shqipërisë, përfshirë, por jo kufizuar, kryeministrin Edi Rama. Pra, është qeveria e Republikës së Shqipërisë, çdo person i lidhur me të, dhe kryeministri Edi Rama. Çfarë do të thotë kjo? Nuk është vetëm Edi Rama, janë të gjithë ministrat, janë të gjitha agjencitë e lidhura. Ky është hetimi më global që i është bërë qeverisë së Shqipërisë në historinë e saj. Të hetohet çdo udhëtim që ka bërë Charles McGonigal në Shqipëri, Kosovë dhe Malin e Zi. Çdo udhëtim”, tha Berisha.