Komiteti i Disiplinës në Federatën e Futbollit të Francës e ka dënuar me tre ndeshje pezullim sulmuesin e PSG-së, Kylian Mbappe.
20-vjeçari u bë protagonist në finalen e Kupës ndaj Rennes, e fituar nga kjo e fundit 6-5 në penallti, teksa sulmuesi goditi me takë direkt në gjurin e Damien Da Silva.
Në atë ndeshje Mbappe u ndëshkua me karton të kuq, mirëpo disiplina nuk e ka falur duke i dhënë edhe një dënim tjetër të ashpër. Që do të thotë se sulmuesi nuk mund të luajë në transfertën ndaj Angers dhe sfidat në “Parc des Princes” ndaj Nice dhe Dijon për kampionat.
Mbappe ka patur ecuri tejet pozitive në Ligue 1, ku ka shënuar 30 gola, ndërsa në total ka shënuar 36 gola këtë sezon. Mirëpo Lionel Messi komandon me 48 gola të shënuar në të gjitha kompeticionet, 34 vetëm në La Liga. Me këtë pezullim, sulmuesi francez humb shansin e fundit për të konkurruar për “Këpucën e Artë” në Europë.