Sipas Presidentit Ilir Meta, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve këtë vit e gjen Shqipërinë në nivelin më të ulët të pagës në rajon dhe në Europë.
Gjatë një postimi në rrjetet sociale, Meta thotë se punonjësit e sektorit privat ende shprehin pakënaqësi për mungesën e një kontrate të rregullt pune, mosrespektim të kushteve të punës dhe të drejtave të tyre.
Një tjetër vërejtje, ai sheh edhe tek humbja e besimit për konkurrim të ndershëm dhe punësim.
“Të punësuarit në sektorin privat ende vijojnë të shprehin pakënaqësi të mëdha për mungesën e një kontrate të rregullt pune, mosrespektim të kushteve të punës dhe të drejtave të tyre, për paga të ulta dhe për mospagim të kontributeve shoqërore. Vërehet një humbje e thellë e besimit për konkurrim të ndershëm dhe punësim mbi bazë të meritokracisë edhe në Administratën Publike dhe institucionet publike”.
Shqetësim kreu i qeverisë sheh gjendjen e rëndë ekonomike të krijuar pas tërmetit të Nëntorit dhe pandemisë.
“Gjendja e rëndë ekonomike e përkeqësuar me situatat e vështira që po kalojmë nuk jep shpresë se diçka do ndryshojë për mirë në një të ardhme të afërt”.
Meta thotë se pandemia dhe efektet e saj negative do të përkeqësojnë akoma më shumë kushtet aktuale, shërbimet sociale, tensionet politike dhe largimin masiv të njerëzve.
“Në gjendjen aktuale, të tregojmë vëmendje të veçantë dhe të shtuar që punëtorët në sektorët më të prekur, jo vetëm t’i dëgjojnë, por edhe të përfitojnë realisht nga paketat ekonomike të premtuara. Kërkohet një bashkëpunim më i mirë në këtë situatë për të mbështetur sipërmarrësit dhe biznesin e vogël, nëpërmjet një strategjie konkrete e të prekshme, për rihapjen e ekonomisë në mënyrë të pakthyeshme. Situata kërkon reflektim urgjent dhe masa konkrete që 1 maji të mos shënohet më si një ditë e zakonshme pushimi, por si një ditë feste për arritjet e punëtorëve. Një falenderim në këtë ditë për mjekët dhe infermierët e të gjithë ata që janë në vijën e parë kundër COVID-19, në mbrojtjen e shëndetit të çdo qytetari”.