Jo vetëm ishulli preku rekordin e trishtuar të viktimave, plot 854 në 24 orët e fundit, por tashmë ka edhe liderin e qeverisë së saj, Boris Johnson, të mbyllur në një sallë reanimacioni.
Shifra e të vdekurve përfaqëson një dyfishim nga të dhënat e djeshme (437), që pjesërisht mund të justifikohet me faktin që të dhënat e fundjavës vijnë fillimisht me ritme më të ulta. Nga totali, 758 kanë vdekur në Angli, 74 në Skoci, 19 në Uells dhe 3 në Irlandën e Veriut.
Ndërkohë, ka filluar një “betejë” projeksionesh mbi ecurinë pandemisë, me autoritetet zyrtare britanike që thonë se numri i të vdekurve parashikohet në rreth 20 mijë, ndërkohë që studime të tjera janë më alarmante.
Sipas Universitetit të Uashingtonit, Britania rrezikon të jetë vendi më i goditur nga koronavirusi në Europë, me viktimat që mund të shkojnë deri në 66 mijë në Qershor, rreth gjysma e atyre të kontinentit europian, ndërkohë që në Itali këto shifra duhet të ndalojnë tek 20 mijë, dhe në Spanjë 19 mijë dhe në Francë 15 mijë.
Lajme disi më qetësuese vijnë nga spitali St. Thomas në Londër ku është shtruar në terapi intensive kryeministri Boris Johnson. Sipas disa burimeve, të pohuara nga zyrat e Downing Street, Johnson merr frymë vetë dhe “nuk ka humbur humorin e tij”.