Ditën pas disfatës kundër Betisit në “San Siro”, e cila ndërlikoi kualifikimin e Milanit në Europa League, dy prej drejtuesve kryesorë të Milanit, Leonardo dhe Maldini, u paraqitën në Milanello për t’i qëndruar afër skuadrës.
Ndërkohë, ditën e parë të stërvitjes, pas humbjes kundër Fiorentinës në kampionat, në qendrën stërvitore nuk ishte asnjë drejtues. Një heshtje e cila ka bërë shumë zhurmë në mediat italiane dhe që pak a shumë është marrë në këtë mënyrë: Gattuso duhet t’ia dalë mbanë vetë, me dy ndeshjet e ardhme kundër Frosinones dhe SPAL që do të jenë kyçe për vazhdimin e tij në krye të stolit të kuqezinjve.
Këto ditë, klubi milanez po mendon nëse do të jetë “Ringhio” ai i cili do të udhëheqë skuadrën drejt rikthimit në Champions, objektivi kryesor që nga fillimi i sezonit. Administratori i deleguar, Ivan Gazidis, është duke u interesuar personalisht për zëvendësuesin e ish-mesfushorit të “Djallit”.
Nga Donadoni tek Wenger, me Paulo Sousa dhe Guidolin të cilët janë gjithashtu në listë. Ditë të vështira për numrin 1 të stolit të Milanit, por dhe për vetë klubin kuqezi.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Gattuso kalon probleme të tilla në karrierë. Në të kaluarën ka treguar se ai di t’i përballojë problemet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Tashmë, koha do të vërtetojë gjithçka, me takimet kundër Frosinones dhe SPAL, të cilat do të jenë vendimtare për të ardhmen e 40-vjeçarit.