Duket se Ditmir Bushati nuk do të jetë pjesë e ekipit të PS-së për zgjedhjet e 25 Prillit. Edhe pse nuk është bërë ende publike, Kryeministri Edi Rama tha këtë të hënë para gazetarëve se më e rëndësishme se sa individët për të është skuadra që ka Partia Socialiste.
Kreu i qeverisë deklaroi se për secilin në PS ka një kohë që merr, por edhe një kohë që jep.
Do ndalesha në Qarkun e Shkodrës, ju thatë që e keni bërë vlerësimin edhe në bazë të kritikave të mediave dhe rrjeteve sociale. Me shumë gjasë besoj do konfirmohet që Ditmir Bushati nuk do të jetë pjesë e listës, A ishte një kriter?
Edi Rama: Në këtë betejë ylli është skuadra dhe unë flas vetëm për skuadrën, nuk flas për individë.
Duke qenë se ju vetë e keni konsideruar si një ministër yll si ministër i Jashtëm?
Edi Rama: Patjetër, por skuadra e PS-së është shumë më tepër se sa skuadra e deputetëve kështu që besoj se të gjithë kanë shumë për të dhënë dhe ata që kanë marrë më shumë kanë për të dhënë më shumë me siguri. Pjesa më e madhe kështu do të bëjë, sepse ka një kohë për të marrë, ka një kohë për të dhënë.
Dritan Leli refuzoi të linte bashkinë për të kandiduar si deputet
Dritan Leli refuzoi këtë të hënë që të ishte pjesë e listës së Partisë Socialiste për Qarkun Vlorë duke qëndruar në krye të bashkisë.
Gjatë prezantimit të objektivave të PS-së për zgjedhjet e 25 Prillit, kryeministri Edi Rama u pyet pikërisht për këtë çështje.
Kreu i qeverisë u shpreh se me Lelin ose pa të, selia rozë ka për ta realizuar objektivin në Vlorë.
“Në formimin e një skuadre ka dinamika të brendshme dhe nuk ka rëndësi çfarë ka menduar njëri, çfarë ka menduar tjetri. Është e vërtetë që i kam propozuar të bëhet pjesë e skuadrës, nuk e ka parë të arsyeshme është zgjedhje atij. Me të pa të, PS do të realizojë objektivin bazë dhe do të shkojë pranë objektivit maksimal. S’ka asnjë problem”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se në këto zgjedhje PS-ja është më shumë e përgatitur.