Nisma e numrit dy të PS Taulant Balla për një rezolutë kundër ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet shqiptare, ka hasur kritikën e parë të fortë nga brenda vetë Partisë Socialiste. Ish-ministri i Jashtëm Bushati rreshtoi një sërë kritikash kundër rezolutës, duke refuzuar ta votojë draftin.
“Kam dëgjuar edhe diskutimet e brendshme të cilat argumentojnë që Shqipëria është imune ndaj dezinformimit rus. Në fakt është një argument pa bazë për sa kohë Shqipëria dhe shqiptarët kudo në rajon në bazë të narrativës ruse janë objekt i saj”, tha Balla.
“Ju them mos ta fusim veten në ujëra të turbullta që nuk e ka futur asnjë Parlament. Nuk ka një rezolutë të parlamenteve demokratike në Shqipëri pas ’90 që të jetë marrë me emra shtetesh. Koha kur ne i shpallnim luftë shteteve të ndryshme ka përfunduar më 8 dhjetor 1990, kjo është gjëja e parë.
Gjëja e dytë është, supozojmë se jemi përballë një rreziku e kërcënimi. Tani unë kam një pyetje që është retorike në fakt sepse pyetjeve konkrete që bëra nuk u dha përgjigje kush. Në rast se ne jemi përballë këtij kërcënimi që nuk e identifikokan dot një mal me dokumente që janë në bankën e të dhënave të sigurisë kombëtare të këtij vendi. Në rast se nuk e kemi, çdo dy vjet ministria e mbrojtjes përditëson një dokument, që është dokumenti i strategjisë së mbrojtjes që është në bashkëpunim me NATO-n. Në mënyrë periodike rishikohet strategjia e sigurisë kombëtare. Pse nuk shkojmë te strategjia e sigurisë kombëtare, është pika jonë orientuese, është dokumenti i cili na orienton për mënyrën se si ne duhet të mbrojmë interesin tonë kombëtar dhe e ke klasifikimin e rreziqeve, ke terminologjinë, nuk flet strategjia e sigurisë kombëtare dhe nuk ka asnjë vend serioz në botë që të përmend emra shtetesh, flet për aktorë shtetërore dhe për aktorë joshtetëror“, replikoi Bushati.
Ish-shefi i diplomacisë shqiptare ka kritikuar formën dhe thelbin e rezolutës; duke ngritur disa pyetje; e para nëse ky dokument është në përputhje me strategjinë e sigurisë kombëtare, a ka një informacion nga qeveria për ketë çështje. Nga ana tjetër, Bushati ka vënë në dukje se rezoluta nuk ka referencë tek NATO, aleanca ku Shqipëria është anëtare.
“Znj. Kodheli as nuk po bëj propagandë, po më duroni se e kam të nevojshme t’ju them dhe në funksion të arritjeve që ka ky vend se është vend anëtar i NATO-s, nuk është vend dordolec, po ju them dhe njëherë tjetër është vend anëtar i NATO-s ky. Dhe ju dy vite keni bërë për të lëvizur nga ministria e Mbrojtjes ku ishit në Bulevard, atje të Shkolla Bashkuar, se është vend anëtar i NATO-s se kishte një infrastrukturë aty digjitale që e certifikon dikush tjetër dhe nuk mund të diskutojmë ne një rezolutë për sigurinë kibernetike, për dezinformacionin pa pas konceptin e NATO-s. Nëse doni ta bëni bëjeni, nëse ju dukem se po ju bezdis me këto gjëra që po ju them, bëjini të gjitha. Po unë po ju them që na duhet një qasje kombëtare për këtë proces, siç e ka qeveria shqiptare siç e kanë të gjitha qeveritë me të metat e tyre, me difektet e tyre, me boshllëqet e tyre”, i tha Bushati Mimi Kodhelit.
Por pavarësisht kritikave te ish-ministrit të Jashtëm, mazhoranca duket e vendosur të ecë para me rezolutën kundër ndërhyrjes ruse në zgjedhjet shqiptare.