Nga Bedri Islami
Përgjithësisht njeri i qetë, ku shpërthimi i tij më i madh do të ishte spërkatja me ujë e një opozite që çdo ditë i kishte ndjellë zinë, i matur në të folur dhe i përfolur herë pas here për rrëzimin e tij ministror, por gjithsesi i domosdoshëm në një qeveri që herë i merreshin këmbët dhe herë i dilnin këmbët e reja, ai, papritmas dhe befasisht, në një kalim spektakolar të shefit të qeverisë nga njëra gjendje emocionale tek tjetra, u largua nga detyra.
Më shumë se gjithçka tjetër do të ishte një largim i detyruar nga gjetja aspak politike që kishte hedhur në shahun e tij politik shefi i qeverisë, duke zëvendësuar “gjithë ata që kishin 6 vite në detyrë”. Së bashku me të njomin, sipas kësaj zgjidhje, shkoi edhe i thati.
Për shumë vite me radhë Ditmiri, ishte edhe në gojën erërëndë të Berishës, që, pa asnjë lloj mirësie në shpirt, e kishte mbiquajtur Ditzi, duke ndjellë të keqen mbi jetën dhe ecurinë e një djali të ri, që për nga mosha, duhet të ishte i biri.
Vjen nga një familje që ka emër të ndjeshëm në historinë e Shqipërisë. Sikur, larg qoftë, Berisha apo të tjerë pranë tij, të kishin pasur një pjesë të kësaj historie, që nga Bushatllinjtë e famshëm, të njohur në gjithë hapësirën e dikurshme rumeliote, e deri tek xhaxhai i tij, Nuriu, 17-vjeçari i pushkatuar nga gjermanët, nuk do të ishin mbajtur, do kishin grisur gjoks e shpatulla.
Ditmiri deputet, befas është bërë Ditbardhi i opozitës, megjithëse ai e di më mirë se të tjerët se se është një gjë e përkohshme, e rastit, një gjetje prematurë e një opozite të lodhur.
Në dy ditët e fundit, pas fjalës së tij, në Kuvendin e Shqipërisë, mediat opozitare shohin rebelimin e një deputeti ndaj qeverisë ku ishte pjesë; ndarjen që ka filluar mes tij dhe një grupi pranë tij me shefin e qeverisë; dhe në njërin drejtim kanë të drejtë.
Ndarja mes Bushatit dhe Ramës nuk përbën asgjë të jashtëzakonshme.
Fakti që Rilindja, në ecjen e saj qeverisëse, ka ndalesa të mëdha të saj, ka harresën ndaj ndëshkimit të krimit dhe premisën e faljes së një krimi të ardhshëm, nuk ka të bëjë as me Ditziun e opozitës së djeshme, as me Ditbardhin e opozitës së tashme, por thjeshtë me riardhjen e Ditmirit deputet, i cili, pasi ka ngritur një ngrehinë institucionale, ndoshta edhe me gabime, nuk do që ajo të shembet duke nisur nga e para.
E drejta e përplasjeve parimore brenda një grupimi është e drejta më e ligjshme dhe më e natyrshme. Nuk mund të bëhet ndryshe as shteti dhe as ngritja e shoqërisë.
Fataliteti ynë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, është tek perceptimi i pushtetit si një fillesë nga e para, si shembje e gjithçka të së shkuarës dhe hapje themelesh për një ngrehinë të re, e cila, shpesh herë, ka dalë më shkatarraqe se ajo që u shemb.
Ditmir Bushati nuk duhet të bëjë përjashtim nga ajo elitë e PS që, ndër vite i kanë dhënë emrin e forcës më të moderuar, më shprehëse, më të hapur dhe emancipuese që ka pasur Shqipëria në këto 30 vitet e fundit.
Nuk e di nëse është zemëruar apo jo me fjalën e Ditmir Bushatit shefi i Rilindjes, Edi Rama.
Nëse është zemëruar, kjo do të thotë se vazhdon të rrijë në krye të kësaj force me mendësinë e janarit të vitit 1991 dhe, me gjithë oratorinë e spikatur, mbyllja do të jetë më e fuqishme se sa hapja e ideve, vizioneve dhe perceptimeve politike.
Bushati ishte para dy ditësh një shembull që mirëpritet.
Edhe nëse e ka bërë nga mëria e largimit të pushtetit, ai ka bërë atë që duhet bërë edhe më tej: hapjen e një debati për shumëçka nuk shkon e që tashmë është e dukshme.
****
Botuar sot në Dita